Maqedoni
Rasti “Lagja e Trimave”, Hoxha: nuk jemi terrorist, kërkojmë hetim ndërkombëtar
17.03.2017 16:24
Edhe pse në seancën e kaluar për rastin “Lagja e Trimave”, i akuzuari, Enver Hoxha-Klain...

Edhe pse në seancën e kaluar për rastin “Lagja e Trimave”, i akuzuari, Enver Hoxha-Klain, u tërhoq nga dëshmia me arsyetimin se nuk beson në këtë proces gjyqësor, ai vendosi të ndryshojë qëndrimin edhe para trupit gjykues dhe sqaroi mënyrën dhe motivin e ardhjes në Kumanovë.
Siç dëshmoi Klain, shqetësimi për gjendjen e vështirë të shqiptarëve, sidomos pas publikimit të “bombave” të opozitës, ka bindur atë që të marrë rrugën për në Maqedoni.
Para trupit gjykues, Hoxha hodhi poshtë akuzën për terrorizëm dhe kërkoi hetim ndërkombëtar të rastit, pasi që nuk beson në sistemin gjyqësor të Maqedonisë. Ai zbuloi se grupi është thirrur nga një person i Maqedonisë, por nuk deshi të përmend emrin e tij.
“Duke parë se çka po ndodh në periferi të Europës, në Ukrainë, e pastaj edhe në Siri, si qytetar i Europës isha i brengosur për rrezikun në zemrën e Europës, siç e quaj unë Gadishulli Ilirik, ose që njihet si Europa Juglindore. Ka njerëz në Maqedoni që na kanë thirrur. Pas këtij rasti, ai person është i pakapshëm. Kam pritur dy vite që Prokuroria Publike të na e sjellë personin. Duhet hetim transparent ndërkombëtar”,- tha Hoxha.
Edhe avokatja, Artene Ademi-Iseini, tha se klienti i saj ka dyshime rreth rrjedhës së këtij procesi gjyqësor, prandaj kërkon hetim ndërkombëtar për rastin.
“Po, ishte vendimi që sot të japë dëshminë mbrojtëse para trupit gjykues. I njëjti po ashtu bëri përshkrimin se si ka ardhur, motivin, arsyen e ardhjes në Kumanovë. I njëjti shfaqi dyshimet në hetimin e mirëfilltë të këtyre ngjarjeve, insiston dhe kërkon hetim të mirëfilltë me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar”,- u shpreh avokatja, Artene Ademi Iseini.
Enver Hoxha – Klain, para trupit gjykues mohoi spekulimet se gjoja “Grupi i Kumanovës” ka marrë të holla për inskenimin e këtij rasti.
“Kurrë s’kam qenë mercenar. Për atdhe as nuk blihem e as nuk shitem. I mbahem vlerave europiane dhe universale”,- tha më tutje Klajn.
Hoxha u ankua edhe për keqtrajtim, siç tha ai, në mënyrë ç’njerëzore nga policia, duke theksuar se, mes tjerash, gjatë kohës që e kanë marrë në pyetje në stacion i kanë vendosur qese në kokë, duke ia drejtuar edhe pistoletën.
Përpos Enver Hoxha – Klajn dëshmoi edhe i akuzuari, Bajram Elshani.
SANIJE DURAKU
