Maqedoni

Vazhdojnë protestat në Prilep, tre ditë nuk zhvillohet mësimi në shkollat e mesme

17.03.2017 16:43

Edhe përkundër apeleve të institucioneve që fëmijët të lihen jashtë protestave politike, edhe sot në gjimnazin e Prilepit protestat kanë vazhduar...

Njësoj si në ditët e kaluara, protestat të parët i filluan nxënësit e shkollës së mesme industriale që u mblodhën në oborrin e Gjimnazit “Mirçe Acev”, duke ftuar moshatarët e tyre t’u bashkëngjiten thirrjeve kundër “Platformës së Tiranës” dhe shqipes zyrtare.
 
Disa mësues reaguan duke mos i lejuar nxënësit e tjerë të dalin nga mësimi dhe kjo shkaktoi fishkëllima në drejtim të tyre nga nxënësit e tubuar në oborr.
 
Dje para gjimnazit protestuan edhe prindërit që kërkojnë dorëheqjen e  drejtorit pas xhirimit të publikuar ku ai i urdhëron nxënësit të dalin në protesta. Këto tre ditë, mësuesit e kanë të vështirë të zhvillojnë procesin mësimor në Prilep, pasi shumë nxënës lënë orët e mësimit për t’ju bashkangjitur protestave të iniciuara nga Organizata “Të bashkuar për Maqedoninë”.
 
Deri tani askush nuk është thirrur në përgjigjësi se përse nxënësit lejohen të largohen nga orët e mësimit.