Maqedoni
Ministria e Drejtësisë: Drejtuesit e komunave kanë mandat deri në maj
17.03.2017 16:56
Kryetarët e komunave dhe anëtarët e Këshillit Komunal kanë të drejtë ligjore deri në fund të gjysmës së parë të muajit maj të kryejnë pa pengesa obligimet e tyre....

Ky është sqarimi të cilin Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale pas komplikimeve për shpalljen e zgjedhjeve lokale si pasojë e krizës politike.
“Sipas mendimit të Ministrisë së Drejtësisë, kryetarët ekzistues të komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë mund të kryejnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj deri në afatin e përcaktuar në nenin 16, alinea 1, të Kodit Zgjedhor, pra deri në fund të gjysmës së parë të muajit maj, me qëllim që të sigurohet mbrojtja e të drejtave të garantuara kushtetuese të qytetarëve të pushtetit lokal, përmes ushtrimit të vazhdueshëm të kompetencave nga ana autoriteteve të komunës (kryetari dhe këshilli)”,- shkruan në njoftimin e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale.
Rreth kësaj çështje këtyre ditëve pritet të diskutojë edhe BNJVL. Gjashtë marsi ishte dita e paraparë me ligj kur Kuvendi republikan duhej të shpallte zgjedhjet lokale. Por, kjo ishte e pamundur në rrethana kur përbërja e re kuvendore ende nuk e ka zgjedhur kryeparlamentarin, i cili duhej të ia dërgonte aktin juridik KShZ-së për shpalljen e zgjedhjeve lokale.
Kjo situatë e re hapi dilemën se çka do të ndodhë me funksionimin e pushtetit lokal pas skadimit të mandatit, dilemë që mbetet ende e hapur deri në konstituimin e plotë të kuvendit, i cili është organi i vetëm i cili mund të vendosë për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve apo shkurtimin e afatit për shpalljen dhe mbajtjen e tyre.
REXHEP QAMILI
