Maqedoni
Bashkësitë fetare, apel të përbashkët për uljen e tensioneve
17.03.2017 17:18
Kishat ortodokse maqedonase, Bashkësia Islame dhe bashkësitë e tjera fetare në Maqedoni të përfshira në Kushtetutën...

Kishat ortodokse maqedonase, Bashkësia Islame dhe bashkësitë e tjera fetare në Maqedoni të përfshira në Kushtetutën e vendit kanë dalë me një apel të përbashkët për ulje të tensioneve në vend.
“Me kujdes të veçantë po i ndjekin zhvillimet të cilat një kohë më të gjatë po e rëndojnë përditshmërinë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Ky rast është mundësi historike të dëshmojmë se vërtet e duam atdheun tonë të përbashkët – Republikën e Maqedonisë, pa marrë parasysh cilit komb dhe cilit komunitet fetar i takojmë. Duhet ta kemi të qartë se bashkëjetesa e vërtetë arrihet vetëm në paqe, me respektimin e dallimeve dhe të të drejtave të çdo individi, pa cenimin e të drejtave dhe dinjitetit të të tjerëve. Prandaj, si kisha dhe bashkësi fetare, apelojmë për qetësimin e zhvillimeve, për të dëshmuar vullnet të mirë dhe urti në vendimet dhe veprimet si dhe ftojmë në përmbajtje nga veprimet të cilat mund ta rrezikojnë shtetin, por edhe sigurinë e njerëzve dhe të pronave e të familjeve tona. Apelojmë te politikanët dhe partitë që të dëshmojnë dashurinë ndaj njeriut dhe atdhedashurinë, dhe në frymën e respektimit dhe tolerancës të ndërmarrin masa të përbashkëta të menjëhershme, të bazuara mbi rregullat legjitime e ligjore të shtetit, me qëllim të tejkalimit të sfidave dhe rreziqeve me të cilat po përballemi. Vetëm kësisoj, të bashkuar dhe unikë, me dinjitet do të dëshmojmë para tërë botës se shoqëria multietnike dhe multifetare në të cilën po jetojmë mund të funksionojë e të mbijetojë. E tërë kjo është dëshmuar në të kaluarën tonë të përbashkët. Andaj, edhe ne si gjeneratë, do të dëshmojmë përmes shembujve personal dhe me veprat tona, për të mirën e atdheut tonë, se jemi trashëgimtarë parimorë dhe të denjë të gjeneratave tona të kaluara dhe se jemi besimtarë e patriotë të vërtetë. Sepse, vetëm kështu do të dëshmojmë se jemi të denjë për kombin e për fenë të cilave u takojmë”,- thuhet në komunikatën e përbashkët të nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare.
NAIM RAMADANI
