Maqedoni
Të martën mblidhet Kuvendi, LSDM dorëzon nismën me 67 nënshkrime, Veljanoski cakton koordinim ditën e martë
17.03.2017 17:34
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Trajko Veljanoski, ka caktuar për ditën e martë takim koordinues...

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Trajko Veljanoski, ka caktuar për ditën e martë takim koordinues ku do të duhet të përcaktohet propozimi për përbërjen e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, që, sipas tij, është kusht për të caktuar vazhdimin e seancës konstituive.
Vendimi i Veljanoskit vjen pasi LSDM dorëzoi nismën e nënshkruar nga 67 deputetë të shumicës së re parlamentare, për të vazhduar seancën konstituive.
“Që të mos ketë arsye dhe dilema rreth sigurimit të shumicës parlamentare, edhe këtu i dorëzuam 67 nënshkrimet e deputetëve edhe pse Rregullorja nuk e kërkon një gjë të tillë për të vazhduar seancë konstituive. Presim që Trajko Veljanovski menjëherë të caktojë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të RM-së”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Sipas parashtruesit të nismës, hapi i parë që duhet të ndodh është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, i cili do të hedh poshtë edhe argumentin e paqëndrueshëm të presidentit Ivanov.
“Ivanov është i detyruar që mandatin t’ia ndajë kandidatit të shumicës parlamentare, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit”,- tha Spasovski.
Ndërkohë, pretendenti për mandatar, Zoran Zaev, thotë se Maqedonia duhet të ketë qeveri sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe se ai do të angazhohet që kjo të ndodh edhe para datës 24 mars.
“Unë si mandatar potencial nuk do të lejoj që të harxhojmë 20 ditë për bisedime për qeverinë e re. Do të përpiqem që t’i shkurtoj maksimalisht këto afate që t’u kursejmë kohë edhe qytetarëve edhe RM-së”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, sërish ka ftuar LSDM-në dhe kreun e saj që ta dënojnë Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare dhe për këmbim do të marrin mbështetje për formimin e qeverisë.
“Zoran Zaev nuk e kishte guximin që të heq dorë dhe ta hedh poshtë Platformën shqiptare. Pa turp, LSDM kriminogjene, shkoi edhe më larg duke theksuar se do të debatojë për çështje të cilat janë me interes nacional dhe shtetëror”, – thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
SHPËTIM NUREDINI
