Maqedoni
Ivanov: vetëm zgjedhjet rrugëdalje nga kriza
20.03.2017 12:05
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka thënë se një nga zgjidhjet për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni janë mbajtja e zgjedhjeve...

Gjatë një interviste për gazetën prestigjioze hungareze “Magjar Hirlap”, Ivanov ka thënë se në këto zgjedhje qytetarët do të prononcohen për temat të cilat ai i vlerëson si të imponuara gjatë periudhës paszgjedhore. Kjo është hera e parë që nga fillimi i krizës e deri më tani që presidenti i shtetit të prononcohet publikisht lidhur me këtë opsion, i cili kohën e fundit po iniciohet shpesh nga ana e VMRO-DPMNE-së.
Ivanov konsideron se platforma e partive politike shqiptare e iniciuar nga jashtë ka të vetmin qëllim, thellimin akoma më të madh të krizës në Maqedoni, meqë e njëjta tashmë sipas presidentit është edhe kusht për formimin e qeverisë se re. Ivanov ka thënë se si president nuk do të lejojë asnjëherë të bëhet tregti me Kushtetutën e vendit dhe me interesat e shtetit të Maqedonisë. Lidhur me mosdhënien e mandatit liderit të opozitës, Zoran Zaev, presidenti Ivanov ka thënë se problemi ka qenë te afati i dorëzimit të nënshkrimeve si dëshmi për shumicën e re si dhe fakti që Zaev nuk e ka refuzuar platformën.
Ivanov po qëndron për një vizitë në Hungari, me ç’rast do të realizojë takim me homologun e tij, Janosh Ader. Vizita e presidentit të Maqedonisë po ndodh në një periudhë kur Maqedonia është në pritje të zgjidhjes së ngërçit politik fillimisht me konstituimit të Kuvendit, vetëm një ditë para vizitës së paralajmëruar të komisarit Hahn dhe tre eurodeputetëve të cilët gjatë ditës së nesërme do të realizojnë takime të ndara me aktorët politikë në përpjekje për tejkalimin e situatës.
GAZMEND REXHEPI
