Sulmi në Paris, autopsia: Agresori nën ndikim të drogës dhe alkoolit

20.03.2017 12:40

Autori i sulmit të së shtunës në aeroportin Orly të Parisit...

Autori i sulmit të së shtunës në aeroportin Orly të Parisit ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës. Ky është rezultati i autopsisë, raportojnë mediat franceze.

Sipas tyre, në analizat e gjakut të viktimës, Ziyed Ben Belgacem, 39 vjeç, i cili u vra pasi ia mori armën një ushtari dhe tha se donte të vdiste në emër të Allahut, është gjetur një përqendrim alkooli prej 0.93 gram për litër si dhe gjurmë kanabisi e kokaine.

39-vjeçari sulmoi në aeroport një ushtar, duke i rrëmbyer armën. Pas kësaj ai u vra nga ushtarët e tjerë. Sipas dëshmive të ushtarëve, Ziyed Ben Belgacem kishte deklaruar: ”jam këtu për të vdekur për Allahun”.

Më herët, 39-vjeçari kishte plagosur një polic gjatë një kontrolli rutine në periferi të Parisit e më pas ishte arratisur me një automjet të grabitur. Autoritetet franceze bënë me dije se agresori dyshohej për lidhje terroriste dhe shtëpia e tij ishte mes dhjetëra banesave të bastisura në nëntor të 2015-s pas sulmeve ku mbetën të vrarë 130 persona.

Por, babai i agresorit ka mohuar se djali i tij është terrorist, duke deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i biri ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës.