Juncker paralajmëron Turqinë: Harrojeni Europën nëse e ktheni dënimin me vdekje
Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker....

Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar Turqinë se çdo kthim i dënimit me vdekje do të jetë kalimi i “vijës se kuqe” nga ana e Ankarasë dhe do të çojë në mbylljen përfundimtare të bisedimeve për anëtarësimin në BE.
Në një intervistë për gjermanen “Bild”, shefi i Komisionit Europian e quajti sjelljen e Erdoganit ndaj Holandës dhe Gjermanisë si të papranueshme.
Një ditë më parë, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se pret nga parlamenti të miratojë rivendosjen e dënimit me vdekje pas referendumit tepër të diskutueshëm të muajit të ardhshëm ku pritet të miratohen ndryshimet kushtetuese që do t’i japin pushtet të pakufizuar Erdoganit.
Turqia ka hequr dënimin me vdekje në vitin 2004 dhe Bashkimi Europian e ka bërë vazhdimisht të qartë se çdo lëvizje për të rivendosur atë do të pengonte ftesën për anëtarësim.
