Maqedoni
Ivanov: Të dënohet “Platforma e Tiranës”, të drejtat e shqiptarëve u përmbyllën me MO-në
20.03.2017 15:15
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka thënë se një nga zgjidhjet për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni është mbajtja e zgjedhjeve...

Një pjesë e kërkesave të partive të bllokut politik shqiptar bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe se nuk përkojnë me gjendjen reale në shtet, ka deklaruar Ivanov edhe gjatë takimit me homologun e tij hungarez, Ader Janosh, të cilin e njoftoi me atë që ka ndërmarrë deri tani në bazë të kompetencave kushtetuese.
“Ndryshe nga kushtetutat e shteteve të tjera, Kushtetuta jonë është e paqartë dhe ka zbrazëtira të mëdha ligjore për situata të tilla kur qeveria nuk mund të formohet me përpjekjen e parë. Veçanërisht situata vështirësohet kur kemi ndikim nga shtete të tjera në punët e brendshme të Maqedonisë me përpilimin e një platforme paszgjedhore që prek çështje për të cilat ne vlerësojmë se janë përmbyllur me Marrëveshjen e Ohrit dhe me Kushtetutën. Edhe pse ne presim që kjo platformë e një shteti të huaj të dënohet, një gjë e tillë nuk po ndodh. Ne kemi frikë se ajo mund të jetë një precedent që do të përdoret edhe nga shtete të tjera për të ushtruar trysni, siç ka ndodhur në vende të tjera”,- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Ivanov kërkoi konstituimin urgjent të Kuvendit që të zgjidhet kryeparlamentari dhe që shteti të funksionojë normalisht. Por, sërish si kusht për këtë vuri hedhjen poshtë të platformës shqiptare.
“Ka pengesa ligjore që do të tejkaloheshin me përfundimin e seancës konstituive që sa më shpejt të zgjidhet kryeparlamentari dhe të vazhdojë funksionimi normal, sepse ju e dini po na bllokohen edhe zgjedhjet lokale, dhe e dyta ka edhe një pengesë politike, e kjo është të hidhet poshtë Platforma e Tiranës”,- u shpreh presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Presidenti hungarez në mbështetje të homologut të tij maqedonas, tha se vetëm zgjidhja e bazuar në Kushtetutë mund të jetë zgjidhje e pranueshme.
Më herët, në një intervistë për gazetën “Magjar Hirlap” Ivanov deklaroi se pa u mbajtur regjistrimi i popullatës shqiptarët nuk mund të kërkojnë të drejta që dalin në bazë të statistikave. Presidenti si dalje nga kriza për herë të parë ka poentuar si mundësi mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, në të cilat qytetarët do të prononcoheshin edhe për temat të cilat u imponuan në periudhën paszgjedhore.
GAZMEND REXHEPI
