Hahn: Anëtarësimi në BE varet nga secili vend veç e veç, Kociançiç: Hahn takohet vetëm me liderët politikë

20.03.2017 15:26

Një ditë para ardhjes në Maqedoni, eurokomisioneri, Johanes Hahn....

Një ditë para ardhjes në Maqedoni, eurokomisioneri, Johanes Hahn, ka përkujtuar vendet e Ballkanit Perëndimor se aderimi i tyre në Union varet nga vetë ata.

“Ne nuk jemi duke u fokusuar në data për anëtarësim në BE. Shpejtësia e përgatitjes së shteteve për anëtarësim në BE varet vetëm nga ata. Për këtë qëllim kemi propozuar treg të përbashkët për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për lëvizje të lirë të mallrave dhe hapjen e mundësive për zhvillim të shteteve nëpërmjet ekonomisë”,- ka ripotencuar Hahn para ardhjes në Maqedoni.

Tashmë është bërë e qartë se gjatë vizitës së tij, eurokomisioneri Hahn nuk do të takohet me përfaqësues të Asociacionit qytetar "Për Maqedoni të bashkuar", të cilët i kryesojnë protestat e ditëve të fundit në vend.

Takimet e Hahnit dhe tre eurodeputetëve, Eduard Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgëll nesër në Shkup do të zhvillohen vetëm me përfaqësues të partive politike në Maqedoni.

“Siç thashë tashmë të premten, Hahn do të takohet me përfaqësuesit politikë. Është e vërtetë se ka edhe kërkesa të tjera dhe shpesh kur ai udhëton në vend ne tentojmë të takohemi me sa më shumë bashkëbisedues, përfshirë edhe me të atillë nga shoqëria civile. Por, kësaj radhe komisari do të takohet vetëm me përfaqësues politikë, sepse agjenda e tij nuk lejon më tepër”,- theksoi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.

Organizatorët e protestave për nesër paralajmërojnë pritje për Johanes Hahn me mbi njëqind mijë njerëz në rrugët e Shkupit.

BESIM ABDULLAI