Maqedoni

Oda Stomatologjike e Maqedonisë: Më shumë kontrolle parandaluese te dentisti

20.03.2017 17:19

Qytetarët e vendit bëjnë pak kontroll parandalues te dentistët dhe ordinancat stomatologjike i vizitojnë kryesisht kur ndjejnë dhimbje të dhëmbëve...

Kështu bëjnë të ditur nga Oda Stomatologjike e Maqedonisë në Ditën Botërore të Shëndetit Oral. Ata apelojnë për vetëdijesimin e popullatës  për mbrojtjen e  dhëmbëve, e sidomos  prindërit për edukimin e fëmijëve që në çerdhe, pasi shprehitë  krijohen që në moshë të re.
 
“Maqedonia është një nga vendet ku përqindja e kariesit është dukshëm më e lartë dhe mendoj se më shumë duhet të punojmë rreth kësaj çështje, për vetëdijesimin e njerëzve që në të ardhmen  sa më shpesh të bëjnë kontrolle të dhëmbëve te stomatologu. Ne vazhdimisht punojmë në parandalimin dhe kemi aktivitete të tilla, mirëpo ende nuk e dimë se përse njerëzit nuk e vizitojnë më shpesh stomatologun”,- deklaroi nënkryetarja e Odës Stomatologjike të Maqedonisë, Marija Andonovska.
 
Qytetarët thonë se mundohen të mbajnë higjienën orale, ndërsa pranojnë se stomatologun më shumë e vizitojnë në rast nevoje. 
 
“Jo, nuk i pastroj rregullisht dhëmbët, por në të ardhmen do të përpiqem”,- theksoi një qytetar.  
 
“Nuk shkoj rregullisht në stomatolog, vetëm kur kam nevojë, mirëpo dy herë në ditë i laj dhëmbët”,- u shpreh një qytetare. 
 
“Unë dy herë në muaj e vizitoj stomatologun, pasi që e kam patjetër shkaku i protezave”,- tha një qytetar. 
 
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Oral, ekipe të stomatologëve në tre lokacione të kryeqendrës u dhanë këshilla qytetarëve për shëndetin e tyre oral.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI