Maqedoni

Ismet Ramadani: pritet që Hahn të jetë më i drejtpërdrejtë; Denko Maleski: Hahn do të kërkojë finalizimin e procesit zgjedhor

20.03.2017 17:32

Eurokomisari, Johanes Han, do të vijë në Shkup për të përcjellë qëndrimet e Bashkimit Europian...

Eurokomisari, Johanes Han, do të vijë në Shkup për të përcjellë qëndrimet e Bashkimit Europian, sidomos pas raportimit të Frederika Mogerinit para Këshillit të ministrave të BE-së për gjendjen në Maqedoni, vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Ai pret që Hahn kësaj radhe të jetë më i drejtpërdrejtë ndaj aktorëve politikë të vendit.
 
“Ardhja e komisarit Hahn kësaj radhe është pak më ndryshe, sepse vjen pas një takimi në të cilin informoi z.Mogerini Këshillin e ministrave dhe Këshillin e shefave të shteteve të BE-së dhe sigurisht se ai do të vijë të përcjellë konkluzat, respektivisht përfundimet nga këto takime. Pritet që të jetë më i saktë dhe më i drejtpërdrejtë me ndonjë vërejtje e cila nuk duhet të jetë shumë tolerante, sepse definitivisht edhe ai është bindur pas shumë ardhjeve këtu se a ka të bëjë me dy personalitete, njëri kryetar shteti dhe tjetri ish kryetar i qeverisë, të cilët nuk e kuptojnë fort gjuhën e diplomacisë",- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Hahn gjatë qëndrimit të tij në Shkup do të kërkojë rrumbullakimin e procesit zgjedhor të filluar më 11 dhjetor, thotë ish-diplomati, Denko Maleski.
 
“Gjithnjë kur në vendin tonë vijnë emisarë nga ndonjë vend demokratik, është shumë e qartë se çfarë porosie do të sjellë, përkatësisht do të sjellë porosi të cilat do tua kishte dërguar politikanëve të cilitdo vend tjetër europian demokratik, përkatësisht se patjetër do të duhet që procesi i filluar më 11 dhjetor të finalizohet me dhënien e mandatit nga presidenti deri te lideri i partisë e cila ka më shumë vota në parlament, me qëllim që të përmbyllet procesi zgjedhor dhe të shihet se cili është vullneti i shumicës së qytetarëve në RM. Ai do të vijë me këtë porosi, ndërsa nëse kjo porosi do të hasë në vesh të shurdhër apo do merret parasysh nga presidenti i vendit mbetet të shihet”,- theksoi ish-diplomati, Denko Maleski.
 
Nëse do të ketë lëvizje nga pozicionet e partive dhe sidomos presidentit, Gjorge Ivanov, pas vizitës së komisarit Han, Maleski thotë se do të varet nga presioni që do ta bëjë ai në takimet e tij të drejtpërdrejta. 
 
Ndërkohë, Ismet Ramadani konsideron se me një veprim të koordinuar të strukturave euroatlantike mund të pritet që punët të fillojnë të ecin për së mbari.   
 
NAIM RAMADANI