Maqedoni
LSDM: Gruevski i frikësohet qeverisë reformatore; VMRO-DPMNE: nuk guxon të injorohet vullneti i maqedonasve
20.03.2017 17:37
LSDM e ka akuzuar edhe një herë liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, për futjen e vendit në krizë...

LSDM e ka akuzuar edhe një herë liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, për futjen e vendit në krizë, duke krijuar regjim dhe duke i dëmtuar qytetarët e vendit.
Gruevski nuk do t’a dalë që të shkatërrojë Maqedoninë, siç deklaroi dje, tha Shilegov, sipas të cilit shtet do të ketë, por siç tha ai, Gruevski është në panik nga ndryshimet që do t’i sjellë qeveria e re, që do të sigurojnë drejtësi dhe përgjegjësi për kriminalitetin 10-vjeçar dhe keqpërdorimin e qytetarëve.
“Nuk do të ketë sukses Gruevski që të mos ekzistojë Maqedonia, siç deklaroi dje. Shtet do të ketë, kriminalitet nuk do të ketë! Amnisti për kriminalitet nuk do të ketë! Gruevski e krijoi krizën politike, e shndërroi Maqedoninë në regjim, i dëmtoi interesat e qytetarëve, ai nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes për Maqedoninë. LSDM tanimë e ka publikuar dokumentin e vetëm, që është në interes të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, ai është programi i qeverisë reformatore”- tha Petre Shilegov nga LSDM.
Por, edhe nga VMRO-DPMNE folën për veprime kriminale të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Njëherit nga kjo parti theksuan se nuk mund të injorohet vullneti i shumicës së maqedonasve, të cilët votuan për VMRO-në dhe Koalicionin për “Maqedoni më të mirë”.
“Vullneti i shumicës së maqedonasve nuk guxon të injorohet, ata votuan për programin e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”. Vota e tyre nuk mund të manipulohet vetëm që të shpëtojë Zaevi nga përgjegjësia. Krimineli i abonuar, Zoran Zaev, është i ngatërruar deri në fyt në kriminalitet, u kap se si kërkon para në rastin “Mitmarrje”, i kapur është në rastin “Puç”, i përzier në rastin “Kullat e Mbretit” dhe i përzier është në kriminalitet me qëllim manipulimin e zgjedhjeve. Zaev është i vetëdijshëm për pasojat, prandaj i pranon të gjitha shantazhet, përfshirë edhe formimin e qeverisë sipas notave nga Tirana”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Njëherit, LSDM ka apeluar te drejtorët e shkollave, profesorët dhe arsimtarët që menjëherë të ndërpriten presionet dhe keqpërdorimet e fëmijëve për qëllime partiake, duke paralajmëruar edhe përgjegjësi serioze për secilin që do të ndërpresë mësimin dhe do t’i nxjerrë fëmijët nesër në protesta nacionaliste ku përhapet urrejtja ndëretnike.
GAZMEND REXHEPI
