Maqedoni

Nesër partitë mblidhen në Kuvend, optimizëm për të lëvizur nga pika zero

20.03.2017 17:51

Me nismë të shumicës së re parlamentare, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend mblidhen nesër në një takim koordinues...

Me nismë të shumicës së re parlamentare, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend mblidhen nesër në një takim koordinues të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanoski. 
 
Në prag të takimit shprehet optimizëm në bllokun shqiptar. Nga BDI thonë se nuk ka asnjë arsye që takimi koordinues, ku duhet të pajtohet Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, të dështojë.
 
Të sigurt në një gjë të tillë, partitë shqiptare nuk kanë pasur as komunikim dhe as koordinim paraprak. Burime brenda BDI-së thonë se në Komisionin për zgjedhje dhe emërime përfaqësimi është në bazë të mandateve që ka fituar secila parti dhe jo në bazë të përkatësisë etnike. Kështu që koordinimi do të ndodhë gjatë takimit. 
 
Edhe Lëvizja BESA konfirmon se nuk ka pasur takime paraprake dhe as koordinim me asnjë parti. 
 
Ndërkaq, nga “Aleanca për shqiptarët” gjykojnë se koordinimi mes partive shqiptare nuk do të jetë problem. 
 
Vazhdimi i seancës konstituive është kushtëzuar nga kryesuesi me  marrëveshjen paraprake për Komisionin për zgjedhje dhe emërime. Po s’pati kompromis për Komisionin, nuk do të ketë as vazhdim të seancës. 
 
Paraprakisht partitë kanë dalë me qëndrime të ndryshme rreth numrit të anëtarëve me të cilët do të duhej të përfaqësoheshin në Komision. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së që të ketë epërsi në Komision dhe të përfaqësohet me gjashtë anëtarë, edhe pse në Kuvend ka vetëm dy mandate më shumë se LSDM, mund të jetë shkas për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi.  
 
“VMRO duhet të ketë gjashtë anëtarë në Komision. Ne kemi për obligim ndaj votuesve shumicë që mbështetën programin zgjedhor të VMRO-së dhe Koalicionin “Për Maqedoni më të mirë” të mbrojmë dëshirën e tyre”,- thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Ndërkaq, nga LSDM thotë se në tryezën e koordinimit do të shtrohen disa variante prej të cilave duhet të burojë zgjidhja e përbashkët dhe se vazhdimi i seancës konstituive duhet të thërritet sa më shpejt që të jetë e mundur.   
 
SHPËTIM NUREDINI