Maqedoni

Programi “Erasmus Plus” në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë

20.03.2017 17:44

Gjimnazi “Sami Frashëri” nga Kumanova, gjatë tërë javës do të jetë nikoqir i nxënësve dhe profesorëve të shkollave...

Gjimnazi “Sami Frashëri” nga Kumanova, gjatë tërë javës do të jetë nikoqir i nxënësve dhe profesorëve të shkollave të mesme nga shtatë shtete të Bashkimit Europian në kuadër të projektit të BE-së “Erasmus plus”, pjesë e të cilit janë tetë shkolla nga po aq shtete europiane.
 
Në një solemnitet rasti që u mbajt në ambientet e këtij gjimnazi, në fjalimin e rastit ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar, fillimisht tha se Bashkimi Europian dhe disa vende të Bashkimit Europian janë donatorë më të mëdhenj në vendin tonë si dhe investues më të mëdhenj në vendin, por edhe partneri më i madh i vendit tonë në tregti, prandaj pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë e pranojnë këtë fakt edh pikërisht për këtë arsye njerëzit e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e familjes së BE-së.
 
Më pas, ambasadori Zhbogar foli edhe për projektin “Erasmus plus”, me ç’rast tha: ““Erasmus plus” i BE-së këtë vit e kremton 30 vjetorin e vet. Më duhet të them se ky program është nga më të famshmit në BE. Ky program u mundëson profesorëve, nxënësve, stazhantëve, si dhe ndërmarrjeve në tërë globin që t’i shohin benefitet nga këmbimet , nga trajnimet dhe gjithashtu eksperiencat e punës dhe të studimit nëpër vendet e BE-së. Ky program luan një rol kyç në  forcimin e rinisë për ndërtimin e një shoqërie më të mirë”,- tha ndër të tjera Zhbogar.  
 
“Dashamirë të Europës të ardhur nga Belgjika, Gjermania, Spanja, Hungaria dhe Italia, mirëseerdhët në shkollën tonë. Besoj se në shkollën tonë, qytetin tonë dhe shtetin tonë do të kaloni mirë dhe do të keni rast të shoqëroheni me kolegët dhe nxënësit e shkollës sonë, si dhe të shihni momente të kulturës dhe historisë së qytetit dhe shtetit tonë”- u shpreh drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri, Hysen Rrahmani.
 
Projekti i programit “Erasmus plus” ka filluar të implementohet nga viti 2014, kurse përvojat dhe eksperiencat e tyre nxënësit i kanë këmbyer në të tetë shkollat gjatë qëndrimit në të gjitha shtetet pjesëmarrëse në të.
 
NEXHAT AQIFI