Ikonen: dygjuhësia, pasuri e vendit
“Dygjuhësia është pasuri e vendit”,- vlerëson ambasadori finlandez në Shkup, Perti Ikonen....

Ai në takimin me gazetarë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Finlandës, tha se vendi i tij ka popullatë prej 5,5 milionë banorë, ndërsa 6 për qind janë suedezë, por dygjuhësinë e konsiderojnë si pasuri të vendit, ndërsa është rezultat i lidhjeve historike me Suedinë dhe ndihmon për lidhje të vendeve nordike. Ai njëherit theksoi se ardhmëria e vendeve të Ballkanit është në BE.
“Maqedonia natyrshëm përket në BE dhe dëshirojmë të jetë pjesë e BE-së. Ne investojmë përpjekje të mëdha që Maqedonia, si dhe vendet e tjera nga rajoni, të bëhen pjesë e BE-së. U ballafaquam edhe me probleme, por mendoj se kjo është ardhmëria e vetme e këtyre vendeve, për shkak se BE-ja është Europë. Ajo është investitori më i madh në rajon, subjekt ekonomikisht shumë i fuqishëm dhe vetëm një numër i vogël i vendeve mund të lejojnë që të jenë jashtë saj, si Norvegjia, e cila “noton” në naftë, ose Zvicra, e cila gjithashtu është vend shumë i pasur. Për të gjitha vendet e tjera mund ta kërkojnë ardhmërinë e saj në BE”,- theksoi ambasadori Ikonen.
