Botë
Greqi, 8 pako-bombë të tjera për zyrtarët europianë
21.03.2017 12:07
Antiterrori grek ka zbuluar mbrëmjen e së hënës tetë pako-bombë të reja, gati për t’u postuar tek zyrtarë të lartë europianë...

Antiterrori grek ka zbuluar mbrëmjen e së hënës tetë pako-bombë të reja, gati për t’u postuar tek zyrtarë të lartë europianë, dy prej të cilëve thuhet se janë kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijselbloem, dhe komisioneri europian për ekonominë, Pierre Moscovic.
Pakot janë gjetur pas kërkimeve të shumta në zyrën postare, në Krioneri të Athinës, ku bëhet ndarja e postës, disa ditë pasi grupi terrorist, “Komploti i Celulave të Zjarrit”, mori përgjegjësinë për të paktën një prej dy pakove të dërguara, njëra në adresën e ministrit gjerman të Financave, Volfgang Schauble, dhe tjetra në zyrat e FMN-së në Paris.
Kjo e dyta ka shpërthyer gjatë hapjes duke lënduar një prej nëpunësve të organizmit. Edhe në pakot e gjetura thuhet se ka pasur brenda të njëjtin mekanizëm shpërthyes, i ngjashëm me atë që kanë pasur 14 pakot e nisura nga i njëjti grup në 2010-ën ndaj zyrtarëve të lartë europianë, mes të cilëve Angela Merkel, Silvio Belruskoni dhe Nikola Sarkozi.
Kësaj here në adresën e dërguesve ishin shënuar emrat e disa personaliteteve të shquar në financa apo në fushën e studimeve universitare për të mos ngjallur dyshimet e policisë.
Informacione të pakonfirmuara bëjnë me dije se në adresën e dërguesit janë edhe emrat e ish-ministrave të Financave, Janis Varoufakis në qeverinë Syriza dhe Gikas Hardouvelis në qeverinë Samaras. Ndërsa marrësit thuhet se janë edhe disa krerë të kompanive të mëdha në vende të ndryshme europiane.
