Botë
Merkel paralajmëron Erdoganin: Stop krahasimeve me nazizmin!
21.03.2017 13:06
Kacelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar presidentin turk të ndalojë menjëherë krahasimin e Gjermanisë me nazizmin....

Merkel tha se nëse Erdogani vazhdon me këtë retorikë, Gjermania do të vazhdojë të bllokojë të tjera mitingje politikanësh turq. Duke iu përgjigjur komenteve të Erdoganit, Merkel tha se Gjermania kishte të drejtë “të ndërmerrte të gjitha masat” përfshirë rishikimin e lejeve të dhëna deri më tani.
Merkel tha se komente të tilla “po thyenin çdo tabu, pa marrë parasysh vuajtjet e atyre që ishin persekutuar dhe vrarë” nga nazistët. Merkel shtoi se të gjitha paraqitjet e politikanëve turq në Gjermani mund të zhvillohen vetëm në përputhje me ligjet gjermane.
Së fundmi, zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, tha se Gjermania po ndërhynte në punët e brendshme të Turqisë duke shtuar se ishte e papranueshme që gazetat gjermane të publikonin kaq shumë kryeartikuj rreth Turqisë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, tha për “Passauer Neue Presse”, të dielën, se Gjermania ishte tolerante por jo “e trashë”. Ai tha se ia kishte bërë të ditur shumë qartë homologut turk se Turqia tashmë e kishte kaluar vijën.
