Maqedoni

Dita e Pranverës, Tetova përuron filtrin bimor “City Tree”

21.03.2017 15:20

Në Tetovë, Dita e Pranverës u shënua me promovimin e filtrit bimor “City Tree”, që ka si qëllim zvogëlimin e ndotjes...

Efekti i filtrit bimor krahasohet me mbjelljen e 275 pemëve. Projekti është financuar nga Ambasada gjermane dhe disa kompani, ndërsa është realizuar nga shoqata “Eko svest”.
 
“Siç u informuam dhe nga të dhënat që i kemi parë, luan rolin e një pastruesi të madh të ajrit. Ne do ngelim të angazhuar që në këtë lloj projekte të punojmë së bashku”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
“Ne bashkëpunojmë në shumë sfera, gjithashtu edhe në sferën e mbrojtjes së klimës, siç është edhe projekti që sot e vendosëm para jush, kjo do të thotë edhe në mënyrë simbolike edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për mbrojte të klimës”,- theksoi ambasadorja e Gjermanisë në RM, Christine Althauser.
 
Shoqata “Eko Guerila” thotë se ky projekt është një hap i mbarë në ruajtjen e ambientit jetësor, por kërkon nga institucionet të punojnë edhe më shumë për një ambient të pastër.
 
“Është një gjë pozitive, do me thënë zbutje e problemit të ndotjes. Ne jemi më shumë të interesuar për të ndaluar ndotjen që mos të vijë deri tek nevoja për të instaluar kështu gjërash, siç është “City Tree”. Sigurisht, është diçka pozitive, megjithatë duhet të mbjellim më shumë pemë të cilat fatkeqësisht në Tetovë dhe rrethinën e saj masakrohen çdo ditë”,- tha Arianti Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
 
Ambasada e Gjermanisë premton se projekte të tilla do të financojë edhe në të ardhmen.
 
VISAR SADIKI