Maqedoni
Shqetësuese shifrat e punësimit të të rinjve, Ibrahimi: Punohet në përmirësimin e gjendjes
21.03.2017 16:37
Edhe pse papunësia në vend është ulur në 23%, shqetësuese mbeten shifrat e papunësisë së të rinjve që mbeten në nivelin e lartë prej 48%...

Ekspertët vlerësojnë se fajin për këtë shifër e ka arsimi joadekuat i të rinjve dhe mungesa e përvojës së punës. Kategoria më e rrezikuar e të rinjve të papunë është ajo e të rinjve që vijnë nga shtresat e rrezikuara sociale.
“Ka mungesë të aftësive personale, si përgjegjësia, vetiniciativa e të rinjve dhe kjo ka të bëjë me kategoritë e rrezikuara sociale. Sfidë për ne është mungesa e kapaciteteve ditore për përkujdesjen e kësaj kategorie të rinjsh dhe fëmijësh”,- theksoi drejtoresha e Fshatit SOS, Juliana Gapo.
Autoritetet u apelojnë punëdhënësve të shfrytëzojnë masat qeveritare dhe programet e subvencionimit të punësimit të personave me status të rrezikuar special, veçanërisht të të rinjve.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale konsideron se drejt inkluzionit social të të rinjve në rrezik social dhe përforcimit të tyre ekonomik duhet t’i qasemi të gjithë bashkërisht dhe përmes përpjekjeve të përbashkëta të kontribuojmë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme socio-ekonomike”,- u shpreh ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Ministria gjermane e ekonomisë, përmes një projekti synon të ndihmojë vendin për punësimin e të rinjve dhe këshillimin e tyre për vetëpunësim që do të implementohet në tre vitet e ardhshme.
REJHANE BUSHI-METAJ
