Botë
21 Marsi, Dita Botërore e Personave me Sindromën Daun
21.03.2017 16:51
Për shumë njerëz, 21 marsi është Dita e Pranverës, për shumë të tjerë është një ditë më e rëndësishme se sa vetëm fillimi i një stine të re...

Sot është Dita Botërore e Personave me Sindromën Daun. Nuk është sëmundje, por një çrregullim gjenetik, për shkak të të cilit të prekurit nga kjo sindromë kanë gjendje shëndetësore më të dobët dhe kontrollim më të vështirë të muskujve. Por, ata kanë vullnet si të gjithë të tjerët, madje dhe më shumë se gjithë të tjerët.
Nga viti në vit rritet ndërgjegjja qytetare për personat me Sindromën Daun. Ata kanë aftësi të jashtëzakonshme, janë të aftë të mësojnë dhe të punojnë nëse ju jepet mundësia, por sistemi arsimor ende u pamundëson integrimin e plotë në shoqëri. Edhe mundësitë për punësimin e tyre janë të pakta. Ata nuk dallohen nga të tjerët në aftësitë e tyre, dallimi i vetëm është pamja fizike.
Dita Botërore e Personave me Sindromën Daun u shënua sot në Strumicë, Shkupi të dielën e kaluar mbajti një maratonë humanitare, ndërkohë që u mbajtën edhe ekspozita me fotografi dhe një shfaqe. Por, kjo nuk mjafton. Motoja e kësaj dite sivjet është “Zëri im, bashkësia ime”, përmes së cilës kërkohet të dëgjohet zëri i tyre dhe të përfshihen më shumë në shoqëri.
