Rasti “Lagja e trimave”, Qerimi: Në Kumanovë erdha për të formatuar kompjuterë
Mirsad Qerimi dhe Valdet Zekaj janë të akuzuarit e radhës të cilët dhanë dëshminë mbrojtëse....

Mirsad Qerimi dhe Valdet Zekaj janë të akuzuarit e radhës të cilët dhanë dëshminë mbrojtëse para trupit gjykues, njofton TVM2.
Për dallim nga dëshmitë e të akuzuarve tjerë të cilët thanë se në Maqedoni kanë ardhur për shkak padrejtësive që u bëhen shqiptarëve, Qerimi thotë se në Maqedoni ka ardhur për të rregulluar ca kompjuterë.
“Beg Rizaj më ka ftuar. Në Prishtinë kam punuar në lokalin e tij, për nevoja teknike. Begu më tha se duhet t’i rregulloj disa kompjuterë. Më duket ishte 1 maj kur më ftoi të zbres poshtë para banesës, më tha se po shkojmë në Maqedoni dhe jemi nisur. Në kufi, disa morën uniforma dhe armë, disa jo. Unë e pyeta për çka është puna, ku do të rregulloj kompjuterë? Ai më tha të mos mërzitem se këta janë tanët. Ti e kryen punën tënde dhe kthehesh, më tha”,- theksoi Qerimi.
Ai tha se është dorëzuar bashkë me Mirsad Ndrecaj, Beg Rizajn dhe disa anëtarë të tjerë më 9 maj, ndërsa më pas është keqtrajtuar shumë nga ana e forcave policore. “Pasi jam dorëzuar më kanë shtri në tokë dhe më kanë goditur. Më kanë pyetur si e kam emrin. Ju kam treguar se quhem Mirsad, pastaj ma kanë vënë revolen mbi kokë, kur u thashë se e kam mbiemrin Qerimi atëherë polici e ka tërhequr revolen”,- deklaroi Qerimi para trupit gjykues.
“Të gjithë atë që kishte për të thënë në mbrojtjen e tij e tha. Janë dëshmi që janë të rëndësishme për vërtetimin e situatës faktike dhe shkallën e fajit të tij. Mirsad Qerimi nuk kishte asnjë motiv për të ardhur në Maqedoni, ai sqaroi në mbrojtjen e tij, me cilin, si dhe pse ka ardhur”,- deklaroi avokatja, Snezhana Stefanovska.
RASTI “LAGJA E TRIMAVE”, ZEKAJ: PADREJTËSITË NDAJ SHQIPTARËVE MË SOLLËN KËTU
Valdet Zekaj para trupit gjykues tha se në Maqedoni ka ardhur për të mbrojtur popullin shqiptar nga padrejtësitë e maqedonasve dhe se nuk e pranon akuzën për terrorizëm, transmeton TVM2.
Zekaj tha se në stacionin e Gushincës Mirsad Ndrecaj ka bërë një deklaratë, por nuk e di se përse nuk është transmetuar. Ai gjatë dëshmisë së tij tha se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj nuk kanë qenë komandantë.
“Të dyve ju kam thënë se a nuk po e vëreni se për çdo ditë jemi duke u rrethuar më tepër, por prapë më kanë thënë se situatën e kanë nën kontroll. Ata nuk kanë qenë komandantët e grupit, për arsye se komandantët nuk zbatojnë urdhra, por ata kanë pranuar urdhra, nga kush, unë nuk e di. Më 8 maj, një djalë na ka informuar se disa pjesëtarë të policisë nga rruga kryesore janë duke na xhiruar. Në këtë rast jam paraqitur si vullnetar dhe me veshje civile, me papuçe kam shkuar në afërsi të tyre. Ata, duke parë se u jam afruar, menjëherë e kanë ndezur veturën dhe janë larguar”,- shtoi Zekaj.
Zekaj thotë se ka qenë kundër dorëzimit të grupit. “As që kisha qejf. Pashë prej dritareve se si i maltretojnë ata që ishin dorëzuar. Pasi që u dorëzova, m’u afrua një polic shqiptar dhe më pyeti se pse nuk jam dorëzuar më parë dhe se a jam në dijeni se kemi vrarë gjashtë policë shqiptarë. Ai i pari më ka goditur”,- tha ai para trupit gjykues.
Seanca e radhës për rastin “Lagja e trimave” pritet të mbahet me 23 mars. (Sanije Duraku, TVM2)
