Vangelovski takon Zvrlevskin dhe Dodevskin, nuk i komentojnë rastet e PP-së dhe PPS-së
Njeriu i parë i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, realizoi takim me prokurorin publik, Marko Zvrlevski.....

Njeriu i parë i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, realizoi takim me prokurorin publik, Marko Zvrlevski, si dhe me kryetarin e Odes së Avokatëve, Nikola Dodevski, për të diskutuar në lidhje me problemet aktuale me të cilat ballafaqohen prokurorët dhe avokatët, njofton TVM2.
Vangelovski nuk deshi të komentojë ndodhitë e fundit në Gjykatën Penale, ndërsa prokurori publik Zvrlevski tha se kanë biseduar për problemet me të cilat ballafaqohet institucionet,e jo për atë, siç tha, “se çfarë po ndodhë nëpër korridore”.
“Tema e takimit është mënyra për trajtim profesional ndërmjet institucioneve. Normalisht, në këto takime nuk u bisedua për atë se çfarë po ndodh në korridore”,- u shpreh prokurori publik, Marko Zvrlevski.
Zvërlevski refuzoi të përgjigjet nëse krahas LSDM-së ka hetime për ndonjë parti tjetër rreth grumbullimit të parave për zgjedhje.
Kryetari i Supremes, Vangelovski, përsëriti se qëllimi i takimit është përmirësimi i komunikimit ndërmjet institucioneve. Edhe pse u pyetën nga gazetarët, ata refuzuan të përgjigjen për raste të veçanta, të hapura nga prokuroria, apo për rastet që i mbron avokati Dodevski. Thanë se nuk është vendi për t’u diskutuar për këto çështje dhe njoftuan rreth problemeve për të cilat kanë diskutuar.
“Pa marrë parasysh këtë takim, me mua do të merreni vesh atëherë kur do të ketë nevojë. Siç e dini, unë do të jap deklaratë para mediave për lëndët e mija, por jo si kryetar i Odës dhe sigurisht jo sot”,- theksoi kryetari i Odës së Avokatëve, Nikolla Dodevski.
“Do t’ju lusja që të mos parashtroni pyetje që janë jashtë temës së takimeve. Nuk do të doja që ta shfrytëzoni prezencën time që t’i parashtroni pyetje z. Dodevskit për lëndë konkrete”,- tha kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski.
Vangelovski ka mbetur i habitur nga lista e problemeve me të cilat përballet Oda e Avokatëve, të cilët ankohen se ka gjykatës që përcaktojnë edhe tarifat e avokatëve dhe vendosin për shpenzimet.
Në takim ishte e ftuar edhe prokurorja speciale, Katica Janeva, e cila për shkak të obligimeve të paanulueshme nuk ishte pjesë e këtij takimi. Por, Vangelovski paralajmëroi takim në një termin tjetër. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
