Kuvend, asnjë vendim në takimin koordinues

21.03.2017 19:26

Përfundon mbledhja koordinuese e katër partive parlamentare....

Përfundon mbledhja koordinuese e katër partive parlamentare vetëm me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

VMRO–DPMNE në këtë trup parlamentar do të përfaqësohet me 6 anëtarë,  LSDM-ja me 5, ndërsa partitë politike shqiptare, BDI dhe BESA, do të kenë nga një anëtar. Grupet e punës të partive politike nuk arritën të koordinohen për kryetarin e Komisionit.

Kjo edhe një herë tregon dhe dëshmon se VMRO-DPMNE, në kundërshtim me të gjitha principet demokratike, bën uzurpimin e Republikës së Maqedonisë, institucioneve të vendit dhe nuk e dëshiron funksionimin e Kuvendit për shkak të interesave personale dhe partiake. Edhe pse është e qartë se zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime bëhet në Kuvendin Republikan dhe i njëjti organ vendos emërimin e kreut të tij si dhe kryetarët e të gjitha trupave të Kuvendit Republikan. Këto janë arsyet prej të cilave mund të konstatoj se vazhdon mënyra për mbrojtje personale dhe mbrojtje të anëtarëve të VMRO-DPMNE-së”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.

“Zgjedhja e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nuk ka ndonjë ndryshim në këto 25 vitet e fundit, që do të thotë se gjithmonë kreu i këtij Komisioni zgjidhet nga grupi më i madh parlamentar, me më shumë ulëse në Parlament, dhe kjo është pa dyshim VMRO-DPMNE. E dyta, numri i anëtarëve të Komisionit nuk është lëmoshë e njërës parti ndaj tjetrës, por është vendim i qytetarëve në pajtim me matematikën ekzakte dhe të barabartë.  Raporti i anëtarëve 6, 5, 1,1 nuk ndodhi për shkak të zemërgjerësisë së LSDM-së si gjest i mirë, por si pasojë e rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e 11 dhjetorit. Prandaj, nëse kjo respektohet, atëherë ne si grup parlamentar jemi të gatshëm  që nesër të vazhdojmë me atë që ka ngelur pa u përfunduar, me konstituimin e përbërjes së re parlamentare”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO–DPMNE.

 “Do të ketë një propozim për vazhdim të seancës së Kuvendit dhe në atë drejtim janë angazhimet e Lëvizjes BESA që të kontribuojmë të zgjidhet parlamenti dhe të zgjidhet kryeparlamentari”,- theksoi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

“Në këtë situatë mendoj që seanca konstituive e parlamentit duhet të përfundojë, të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe kryetari i Parlamentit ta informojë edhe një herë presidentin e Shtetit që ka shumicë dhe të pritet dhjetë ditë sa e ka ai afatin që të kalojë ai afat, të cilin unë mendoj se në aspektin e Kushtetutës ai nuk ka të drejtë të japë mendim negativ, por patjetër duhet ta japë mandatin, dhe në qoftë se nuk e jep, atëherë lirisht Parlamenti mund ta votojë përbërjen e re qeveritare, të zgjedh kryeministrin dhe ato që kanë ankesa të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese”,- u shpreh Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët.

Formimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime është parakusht për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, e mbetur përgjysmë, ku do të duhej të zgjidhej kryetari i ri i Kuvendit. Koordinimi vazhdon nesër dhe pritet që nëse arrihet marrëveshje, seanca konstituive të mbahet brenda javës. (Meral Ismaili, TVM2)