Kapet i dyshuari për vrasjen e të riut
Ministria e Punëve të Brendshme, sot zyrtarisht njoftoi se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e djeshme të 18 vjeçarit A. G. në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit…….

Ministria e Punëve të Brendshme, sot zyrtarisht njoftoi se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e djeshme të 18 vjeçarit A. G. në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit.
Bëhet fjalë për një 19 vjeçar, i cili është i njohur për policinë, për vepra të kryera penale. Sipas MPB-së, incidenti ka ndodhur pasi që i dyshuari ka hyrë në shtëpinë e të vrarit A. G. dhe ka marrë biçikletën e tij, me ç’rast kjo është vërejtur nga viktima dhe babai i tij, të cilët me makinë “Pezho” i janë vënë pas të dyshuarit. Nga MPB-ja thonë se dyshohet që vrasja është kryer me thikë, e cila ende nuk është gjetur.
“Para urës, e cila çon në fshatin Saraj, e kanë vërejtur të dyshuarin dhe aty ka filluar konflikti verbal, më pas ka pasur rrahje dhe i dyshuari me një objekt të mprehtë, me sa duket një thikë, e ka therë Angelin në pjesën e djathtë të gjoksit dhe pastaj ka ikur. Babai e mori djalin e tij dhe shkoi në spitalin evropian të syve për të kërkuar ndihmë, por Angeli iu është nënshtruar lëndimeve dhe vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku”, - deklaroi Gordana Jankullovska nga MPB.
Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët, të cilët ishin thirrur nga klinika e syve, ndërsa trupi i djalit të vdekur është dorëzuar për autopsi dhe nga skena e vrasjes janë marrë gjurmë, të cilat do të përdoren për analiza të mëtejshme, ndërsa nga oborri është marrë edhe biçikleta. Jankullovska gjithashtu theksoi se dje qytetarët, të cilët të revoltuar pas vrasjes protestuan në rrugë, kanë dëmtuar automjete dhe objekte të ndryshme, ndërsa janë arrestuar 18 persona, përfshirë edhe 5 të mitur.
“Me intervenim policor janë arrestuar 18 persona, prej të cilëve 5 të mitur, pjesa tjetër e të arrestuarve janë të moshës prej 18 deri në 36 vjeçare, të cilëve u është caktuar dënim me të holla”, tha Jankullovska.
Jankullovska tha se organet e rendit ndodhen në teren, ndërsa porositi të gjithë qytetarët, ditëve në vijim, të jenë të qetësuar, me qëllim që të mos vijë deri te eskalimi i situatës. (Sanije Kasami, TVM2)
