Sudani Jugor, 1 milion fëmijë kanë nevojë urgjente për ushqim

22.03.2017 11:55

Miliona njerëz vuajnë nga uria në Sudanin Jugor....

Miliona njerëz vuajnë nga uria në Sudanin Jugor, shtetin më të ri e më të pazhvilluar të botës.

Xhejmi Abel është 11 vjeç. Është aq i paushqyer sa ecën si një plak, kockat nuk mund t’ia mbajnë peshën e paktë të trupit. Këmbët e tij duket sikur do të thyhen në çdo hap që hedh.

“Prindërit më kanë vdekur”,- kjo është e vetmja gjë që thotë që kur ka arritur në Spitalin e Fëmijëve “Sabah”, tre javë më parë. Prindërit e tij i kanë vrarë para syve të fëmijës që vuan traumat e rënda të dhunës.

“Ai qan dhe kërkon nënën dhe babanë. Ka dhimbje, por nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Një fëmijë në këtë moshë duhet të jetë në shkollë, fëmijët nuk duhet të vdesin në këtë mënyrë”,- deklaroi infermierja, Bety Achang.

Abeli është vetëm një nga viktimat e luftës civile 3-vjeçare në Sudanin Jugor, i cili tani përballet me një krizë të re, atë të urisë. 1 milionë fëmijë kanë nevojë të dëshpëruar për ushqim. Luftimet pamundësojnë ndihmat humanitare të arrijnë tek njerëzit që kanë kaq shumë nevojë për bukë.

Ka aq shumë fëmijë në nevojë, sa spitali nuk ka më shtretër për t’i mbajtur të gjithë. Dhe të gjithë kërkojnë të vijnë në spital sepse është i vetmi vend në Sudan ku të paktën u ofrohet një shtrat dhe ushqim i ngrohtë. (Migrena Gorenca, TVM2)