Eurodeputetët: Presidenti të rishqyrtojë vendimin! Mos luani me zjarrin!

22.03.2017 12:21

Formim i shpejtë i qeverisë së re, e përkushtuar ndaj zbatimit të reformave....

Formim i shpejtë i qeverisë së re, e përkushtuar ndaj zbatimit të reformave, respektimit të rezultateve zgjedhore, implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe përmbajtjes nga nxitja e tensioneve ndëretnike, janë porositë kryesore të cilat eurokomisari, Johanes Han, dhe tre deputetët, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, ua drejtuan liderëve politikë në takimin e djeshëm në Shkup.

Në kumtesën e përbashkët të Han dhe tre eurodeputetëve të publikuar pas bisedave me liderët  e partive politike theksohet se është përsëritur shumë qartë se të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe presidentin, duhet t'i respektojnë rezultatet nga zgjedhjet e fundit, dhe se në një demokraci secili duhet ta pranojë shumicën parlamentare.

"Për këtë e inkurajojmë presidentin urgjentisht ta rishqyrtojë pozitën e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Tani presim që të gjithë liderët politikë dhe institucionet të mundësojnë që procesi demokratik të lëvizë në interes të qytetarëve të vendit. Shtyrjet gjatë muajve të fundit veç më i kanë shkaktuar dëm ekonomisë së vendit. Për këtë bëjmë thirrje për formim të shpejtë të qeverisë, të përkushtuar në zbatimin e reformave. Nga partitë dhe qeveria e re pritet të vazhdojnë t'i implementojnë të gjitha pjesët nga Marrëveshja e Përzhinës",- theksohet në kumtesën e përbashkët.

Han dhe treshja e eurodeputetëve, siç u potencua, "u bëjnë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çfarëdo aktiviteti dhe deklarata të cilat mund të shkaktojnë tensione ndëretnike ose t'i minojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike".   

"Askush nuk duhet të vijë në pozitë që të luaj me zjarr. Ne jemi thellë të shqetësuar për shkak të tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes. E drejta e tubimit dhe lirisë së shprehjes janë të drejtat themelore në shoqërinë demokratike, por ato bartin edhe përgjegjësi. Në këtë drejtim, retorika negative e orientuar drejt bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave qytetare është tërësisht kundërproduktive. Kjo e minon pozitën e vendit në planin ndërkombëtar, si dhe kredibilitetin e atyre të cilët e shfrytëzojnë",- qëndron në kumtesë.

Johanes Han, Ivo Vajgëll, Edvard Kukan dhe Knut Flekenshtajhn presin në ditët në vijim të shohin qasje serioze dhe të përgjegjshme nga ana e institucioneve relevante që të mundësohet formim i shpejtë i një koalicioni të ri dhe të fuqishëm.

Sipas tyre, kjo është mënyra e vetme për kthimin e vendit në rrugën drejtë BE-së, që qytetarët e dëshirojnë dhe meritojnë.