Maqedoni

Hahn: Respektoni Kushtetutën dhe shumicën në Kuvend

22.03.2017 15:16

Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han, edhe pse nuk mbajti një konferencë për media pas takimeve me liderët, i dha porositë për politikanët...

Në një intervistë për TV Nova, Hahn ishte i qartë. Me gjithë traditën e respektimit të parimit fituesi me fituesin, që vlen tashmë 9 vite në Maqedoni, gjërat kanë ndryshuar. Kushtetuta vjen mbi të gjitha dhe ajo flet për një shumicë të nevojshme. 
 
“Në një demokraci, pas zgjedhjeve, fituese mund të jetë partia që del e para, por mund të jenë edhe ato parti që kanë siguruar më shumë vende në Parlament. E rëndësishme në fund është se cili formacion arrin të ketë një shumicë të besueshme, sepse pas gjithë këtyre viteve debatesh të brendshme dhe përqendrimit te krizat politike, mendoj se duhet kaluar në fazën e kujdesit për fatin e vendit dhe perspektivës së tij euroatlantike. Ajo që i nevojitet Maqedonisë është një qeveri e qëndrueshme, e cila duhet të jetë e përkushtuar ndaj agjendës së reformave”,- theksoi komisioneri për zgjerim në BE, Johanes Hahn.
 
Edhe zgjidhjen e krizës komisioneri e gjen pikërisht te dokumenti themeltar.
 
“Të respektohen rregullat dhe standardet europiane, të cilat janë të shkruara në Kushtetutë, e kjo do të thotë se shumica qeverisëse, nga cilado palë, duhet respektuar nga të gjithë. Ka të bëjë me zhvillimin e mëtejshëm të këtij vendi, shoqërisë së tij, pjekurisë së tij demokratike... Kjo është pjesë e rrugës drejt BE-së”,- tha komisioneri për zgjerim në BE, Johanes Hahn.
 
Ai porosit se është me shumë rëndësi të respektohen etnitetet e ndryshme në vend dhe të jetohet në paqe e në respekt të ndërsjellë.
 
“Është e kuptueshme që në një shoqëri të ketë këndvështrime, por nga ajo që kam dëgjuar gjatë bisedave është se të gjithë janë të përkushtuar të respektojnë Kushtetutën dhe kjo është me rëndësi, që të gjithë të respektojnë Kushtetutën. Por, për mua është me rëndësi edhe programi qeveritar, është çështja vendimtare për të cilën duhet të diskutojnë partitë politike”,- u shpreh komisioneri për zgjerim në BE, Johanes Hahn.
 
Eurokomisioneri tha se parlamenti është vendi ku merren vendimet dhe në shtëpinë ligjvënëse BE pret të zhvillohen debate konstruktive sa më shpejt të jetë e mundur. 
 
LEUNORA KALIQI