“City Tree” edhe në Shkup, filtri bimor ndihmesë në pastrimin e ajrit

22.03.2017 15:22

Pas Tetovës, edhe Shkupi do të ketë pemën e tij të ajrit....

Pas Tetovës, edhe Shkupi do të ketë pemën e tij të ajrit. Në kryeqendër u promovua “City Tree”, platforma bimore që mundëson filtrimin e ajrit duke ulur kështu efektet e ndotjes, njofton TVM2.

Efekti i filtrit bimor krahasohet me mbjelljen e 275 pemëve. Projekti është financuar nga Ambasada gjermane me mbështetjen e kompanive të ndryshme dhe  është realizuar nga Shoqata “Ekondërgjegja”.

“Ndryshimet klimatike tejkalojnë kufijtë në të gjitha këndvështrimet, bëhet fjalë për të mirë e të gjithëve. Ajri i pastër, uji i mirë, mjedisi më i shëndoshë janë me rëndësi kudo, si brenda ashtu edhe jashtë, si në Tetovë ashtu edhe në Shkup e Manastir”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në RM, Christine Althauser.

“Kompanitë kanë treguar interes dhe si duket kanë vetëdijesim për efektin që sjell ambienti i pastër. Tabloja e parë u vendos dje në Tetovë, sot në Shkup, dhe shohim që ka interesim të madh jo vetëm prej kompanive dhe institucioneve, por prej të gjithëve”,- theksoi Ana Çoloviq Leshoska nga OJQ “Ekondërgjegja”.

“Ne si institucion shëndetësor çdoherë i përkrahim manifestimet e këtilla që kanë të bëjnë me shëndetin e pacientëve. Prej muajit tetor deri në mars ajri është më i ndotur dhe në këtë rast përmirësimi i ajrit do të kontribuojë për shëndetin më të mirë tek fëmijët”,- tha një mjeke.

"City Tree" është strukturë vertikale prej llojeve specifike të myshkut, të cilat "ushqehen" me grimcat e imta të dëmshme që qarkullojnë në ajër dhe ka aftësi të neutralizojnë 240 ton dioksid karboni në vit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)