Subvencionime dhe trajnime të reja, përfitojnë 440 persona të papunë
Të gjithë personat e papunë dhe kompanitë që kanë nevojë për vende të reja të punës....

Të gjithë personat e papunë dhe kompanitë që kanë nevojë për vende të reja të punës, prej sot mund të përfitojnë nga trajnimet në vendin e punës me punësim të subvencionuar, masën më të re të Agjencisë për Punësim.
Të papunët do të kenë trajnim tremujor te punëdhënësi, që më pas është i obliguar t'i mbajë në punë edhe gjashtë muaj të tjerë. Për masën për këtë vit janë parashikuar 62 milionë e 40 mijë denarë, ndërsa do të përfshihen 440 persona të papunë.
“Gjatë trajnimit, personi i papunë fiton kompensim në të holla prej 9.000 denarë në muaj, në të cilat është përfshirë edhe sigurimi në rast të fatkeqësisë gjatë punës dhe sëmundjeve profesionale. Pas përfundimit të trajnimit në vendin e punës, punëdhënësi është i obliguar t'i punësojë të gjithë personat e trajnuar për të cilët do të fitojë subvencion për punësim në formë të mbështetjes financiare për bruto pagë në vlerë prej 19.000 denarë në muaj për një periudhë prej gjashtë muajve me orar të plotë pune, ku 17.000 denarë bruto pagë do të ndahen për persona të papunë dhe 2.000 denarë i mban punëdhënësi si kompensim për shpenzimet e bëra për përgatitjen e personit në procesin e punës”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
Shfrytëzuesve të kompensimit në para do t'u ndërpritet e drejta deri në përfundimin e trajnimit, ndërsa shfrytëzuesit e asistencës sociale do të vazhdojnë të marrin ndihmë në para gjatë trajnimit.
Kohëzgjatja e përgjithshme e marrjes së subvencionit nuk mund të tejkalojë 18 muaj.
Nëse shfrytëzuesi është dëbuar para përfundimit të programit të subvencionimit, ai ka të drejtë të kthehet në regjistrin e shfrytëzuesve të asistencës sociale.
Në periudhën e fundit prej vitit 2013 deri në vitin 2016 me këtë masë janë përfshirë 984 persona të papunë, prej të cilëve 863 ende janë në punë. Prej tyre 468 janë gra, ndërsa 454 të rinj deri në 29 vjet. (Besim Abdullai, TVM2)
