Maqedoni
Tejkalimi i krizës, politikanë dhe analistë diskutojnë në “Argument”
22.03.2017 16:40
BDI dhe Lëvizja BESA deklarohen për zgjidhje institucionale të krizës politike brenda Kuvendit...

Qëndrimi u pohua edhe nga përfaqësuesit e dy partive në emisionin debativ “Argument” në TVM2. Talat Xhaferi nga BDI thotë se megjithatë do të jetë një proces i vështirë, i penguar nga VMRO-DPMNE, por përfundimi edhe i këtyre taktizimeve, sipas tij, është çështje ditësh.
“Unë mund të kuptoj tendencën që VMRO të mundet aq lehtë të tejkalojë gjithë atë vokabular që ka përdorur dhe për 24 orë të thotë tërhiqemi prej të gjithë kësaj dhe të hapim institucionet. Normal që do të shfrytëzojnë çdo mundësi që deri në momentin e fundit të bëjnë pengesa të caktuara. Në mënyrë eksplicite në rregulloren e punës së Parlamentit është përcaktuar se cilat komisione i kryeson opozita dhe në cilat komisione opozita ka shumicën e anëtarëve në Komision”,- deklaroi përfaqësuesi i BDI-së, Talat Xhaferi.
Analisti politik, Nijazi Muhameti, thotë se këto janë lojëra të VMRO-së dhe LSDM-së kundër shqiptarëve. Ai kërkon përforcim të bashkëpunimit të partive shqiptare, në veçanti në ndarjen e pushtetit.
“Si do të ndahen ato resorët ka edhe formulë, viza-vi maqedonasve u duhet të kenë qëndrim të përbashkët, jo përfaqësim të shqiptarëve në pushtet, por ndarje të pushtetit... Formula tjetër, që është shumë e afërt, që duhet ju bashkërisht ta mendoni është formula e “Përzhinës”. Në shtetet multietnike, pushteti ndahet në mënyrë të kryqëzuar, nëse ai e ka ministrin e Mbrojtjes, ti do ta kesh ministrin e Brendshëm, mënyra më e kryqëzuar të ndash pushtet edhe financiar edhe gjithçka. Këtë e keni bë ju? Nuk e keni bërë deri tash. Është gabim që thoni ju të BESËS se japim vetëm mbështetje”,- theksoi analisti politik, Nijazi Muhameti.
Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA pohon se kanë ftesë nga LSDM për pjesëmarrje në qeveri dhe një gjë e tillë nuk do të ishte përjashtuar.
“Është madhështi të mbështesësh edhe pa pjesëmarrje, pa pasur benefit të ekzekutivit. Në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë se një subjekt shqiptar ka bërë një propozim dhe tjetri se ka mbështetur vetëm për shkak të propozimit partiak, por kjo është pozitive. E dyta, ne jemi këtu që të marrim përgjegjësi dhe nuk e përjashtojmë mundësinë e pjesëmarrjes në koalicionit qeveritar”,- u shpreh përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi.
Analisti Albert Musliu, u propozon subjekteve politike, sikurse u unifikuan me platformën, të jenë bashkë edhe në parandalimin e gjuhës së urrejtjes adresuar shqiptarëve.
“Ne nuk mund edhe juve si politikanë t’iu amnistojmë, sepse lejoni që partneri i juaj i ardhshëm ne të na ofendojë në bazë ditore, gjatë procesit elektoral, dhe pastaj të ulemi dhe të themi e ajo nuk quhet. Kjo retorikë do të duhet të hiqet”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Dy përfaqësuesit politikë pohojnë se kryetari i Kuvendit do të jetë shqiptar, por duke përjashtuar nga ky kombinim dy deputetët shqiptarë që kanë marrë mandat nga votat dhënë për LSDM-në.
MERAL ISMAILI
