Maqedoni
Zaev: s’ka Platformë shqiptare, ka program qeveritar; VMRO-DPMNE: ne nuk pranuam të negociojmë mbi Platformën
22.03.2017 17:08
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është i sigurt se nëse shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkon VMRO...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është i sigurt se nëse shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkon VMRO, partia e Gruevskit nuk do të mund të fitonte, por as fitorja bindëse e LSDM-së në këto zgjedhje nuk do të detyronte presidentin Ivanov t’ia jepte mandatin liderit të LSDM-së.
Vetëm po taktizohet me zgjedhjet, thotë Zaev, duke përkujtuar se tani më nuk ka deklaratë të përbashkët të partive politike shqiptare, por ka vetëm program të Qeverisë së ardhshme.
“Nuk ka më as platformë tiranase e as platformë të BDI-së, BESËS, Aleancës, të LSDM-së, nuk ka më asgjë nga ato. Ka program të qeverisë së ardhshme të RM-së, e cila në preambulën e saj e ka përforcimin e unitaritetit të Maqedonisë, respektimin rigoroz të Kushtetutës dhe prioritetet tona kryesore janë BE dhe NATO. Në atë program 80 për qind janë reforma, atë që pret RM dhe atë që nga ne presin qytetarët, dhe këtu hyn edhe ekonomia dhe përmirësimi i jetës për të gjithë qytetarët”,- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Por, edhe pse Zaev konfirmon se nuk ka platformë shqiptare por vetëm program qeveritar, nga VMRO vazhdojnë ta akuzojnë pikërisht për pranimin e kësaj platforme. Sërish e ftojnë të dalë në votime dhe të konfirmojë rritjen e rejtingut, siç deklarohet.
“Nëse Zaev vlerëson se teoretikisht nuk do të ndryshojë asgjë edhe nëse VMRO-DPMNE fiton 62 deputetë, ne duam t’i themi se gënjehet. Do të ndryshojë shumë gjëra. Platforma e Tiranës nuk do të jetë objekt mbi të cilin do të formohej ndonjë koalicion. Në fakt, në negociatat me BDI-në hapi i parë i VMRO-DPMNE-së ishte potencimi se bisedimet mbi bazën e Platformës së Tiranës janë krejtësisht të papranueshme",- thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
SANIJE DURAKU
