Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Ujërave. Kemi ujë cilësor, të mos e shpërdorojmë kot
22.03.2017 17:16
Ujërat mund t'i mbrojmë vetëm nëse i shfrytëzojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe i kushtojmë vëmendje të veçantë...

Ujërat mund t'i mbrojmë vetëm nëse i shfrytëzojmë në mënyrë të qëndrueshme dhe i kushtojmë vëmendje të veçantë rreziqeve lidhur me ndotjen e tyre dhe shfrytëzimin joracional, porositën kompetentët në shënimin e Ditës Botërore të Ujërave.
“Mbrojtja e ujërave është interes publik dhe çdo aktivitet që shkakton ndotje të ujërave dhe prishje të balancit të tyre, që mund të ketë pasoja negative ndaj cilësisë së tyre dhe shfrytëzim të qëndrueshëm, duhet të konsiderohet si aktivitet në kundërshtim me interesin publik”,- deklaroi zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Stevo Temelkovski.
Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se qytetarët në vend pinë ujë cilësor. Edhe përkundër vërshimeve vitin e kaluar, edhe uji në rrethinat e Shkupit është i pastër për pije, thonë nga IShP.
“Në Haraçinë kemi pasur bunarë të vërshuar dhe uji i vërshimeve ka qëndruar një kohë më të gjatë. Kjo ka detyruar autoritetet të shkyçin Haraçinën nga rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm, njësoj edhe në Hasanbeg gjatë asaj periudhe është bërë furnizimi me ujë përmes cisternave. Por, as në atë periudhë e as në ndonjë periudhë tjetër gjatë këtyre 20 viteve nuk kemi pasur sëmundje që paraqiten nga ndotja e ujit, pra në Maqedoni qytetarët pinë ujë të shëndetshëm”,- theksoi Mihail Kuçubovski nga Instituti i Shëndetit Publik.
Por, përderisa uji i pijshëm është cilësor, autoritetet sivjet, në Ditën Ndërkombëtare të Ujërave, e vënë theksin tek ujërat e zeza.
Shifrat tregojnë se 80% e ujërave të zeza kthehen në natyrë të papërpunuara, duke dëmtuar kështu ambientin jetësor dhe shëndetin e njerëzve.
Derisa shtetet e zhvilluara harxhojnë mesatarisht 50 litra ujë për tualet, një në gjashtë njerëz në Tokë nuk i kanë 20-50 litra ujë të freskët për pije dhe çdo ditë nga pasojat e mungesës së ujit vdesin 3.800 fëmijë.
1.1 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe 2.4 miliardë jetojnë pa higjienë themelore.
Dita Botërore e Ujit shënohet që nga 22 shkurti i vitit 1993.
REJHANE BUSHI-METAJ
