Maqedoni

Protesta në Haraçinë kundër EVN-së, banorët ankohen për faturat e larta; EVN: s’ka gabime në përllogaritje, të paguhen në kohë faturat e mbetura

22.03.2017 17:34

Një pjesë e banorëve të Haraçinës protestuan kundër faturave të larta të energjisë elektrike që u kanë ardhur muajit e fundit nga kompania energjetike EVN...

Ata ankohen se faturat e tyre vijnë të pallogaritura mirë dhe paushall për çdo muaj.
 
Ata kërkojnë nga EVN që tërheqë këto fatura dhe të përllogarit fatura të reja në bazë të energjisë reale të shpenzuar mujore dhe të ndalojë shkyçjen e debitorëve në këtë rajon.
 
“Na vijnë fatura drakonike të energjisë elektrike, ndërsa ne fabrika në shtëpi nuk kemi. Si mund të vijë fatura e rrymës prej 90 mijë deri më 150 mijë denarë për çdo muaj”,- u shpreh një banor. 
 
“Fatura e fundit mua më ka ardhur mbi 1 mijë euro. Unë nuk e kam fabrikën e hekuranës në oborr, por vetëm shtëpi, çfarë është kjo punë unë nuk mund të kuptoj. Kush ka vjedh rrymë le të dënohet, por jo në këtë mënyrë neve të na bëjnë”,- theksoi një banor. 
 
“Unë nxehem me dru, por për çdo muaj unë paguaj prej 150 deri më 200 euro rrymë. Ka njerëz me 2.000 denarë ndihmë sociale që nuk kanë shans të paguajnë 200 euro energji elektrike”,- u shpreh banor.  
 
“Ja një faturë prej 37 mijë denarëve e një banori që nuk është në gjendje të paguajë pasi që nuk ka asnjë të punësuar në shtëpi dhe tani rrezikon t’i shkyçet rryma”,- tha një banor. 
 
Përmes një komunikate me shkrim, EVN përjashton mundësinë që të kenë gabuar me përllogaritjen e faturave të qytetarëve, e në veçanti atyre që kanë fatura mbi 60 mijë denarë.
 
EVN u rikujton debitorëve të kësaj zone të paguajnë në kohë këstet e faturave të mbetura. 
 
“Konsumi është më i madh tek një pjesë e konsumatorëve për shkak të temperaturave të ulëta që  kishim gjatë muajve të dimrit. Kontribut në lartësinë e faturave jep edhe harxhimi i pakontrolluar i energjisë elektrike dhe madhësia e objekteve që ngrohen nga qytetarët gjatë stinës së dimrit. EVN edhe më tej qëndron e hapur ndaj konsumatorëve për tejkalim e të gjitha keqkuptimeve, nënkuptohet brenda kornizave dhe dispozitave ligjore”,- thuhet në komunikatën e EVN-së.
 
Protestuesit i dhanë ultimatum EVN-së që brenda kësaj jave t’i plotësojnë kërkesat e tyre, përndryshe paralajmëruan radikalizim të protestave dhe bllokim të komunikacionit rrugor në qarkoren e Shkupit. 
 
REXHEP QAMILI