GREQI

Greqi, partitë qeveritare udhëheqin

20.05.2014 15:24

Konservatorët pretendojnë të fitojnë 12 nga 13 qarqet e vendit, socialistët e PASOK-ut 7, ndërsa opozitarët e Syrizës vetëm 5……….

Demokracia e Re dhe Pasok janë partitë fituese të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në zgjedhjet e fundit lokale në Greqi. Kështu, përveç qarkut të Atikës dhe bashkisë së kryeqytetit, në shumicën e qarqeve të vendit dhe bashkive, udhëheqin kandidatët e dy partive të koalicionit qeveritar, që kanë edhe shanset më të mëdha për t’u zgjedhur në raundin e dytë, të dielën e ardhshme.

Konservatorët pretendojnë të fitojnë 12 nga 13 qarqet e vendit, socialistët e PASOK-ut 7, ndërsa opozitarët e Syrizës vetëm 5.

Pavarësisht këtij rezultati, Radikalët e Majtë konsiderojnë fitore të madhe faktin që udhëheqin në qarkun e Atikës, ku votojnë 3.1 milion grekë dhe besojnë se votimi i raundit të dytë, bashkë me votën për PE-në, në 25 maj do të jenë mesazhe të fuqishme proteste ndaj politikave të ashpra dhe reformave të Qeverisë së koalicionit të kryeministrit Antonis Samaras. Por, një mesazh alarmi për Qeverinë dhe për të gjithë popullin grek janë përqindjet e larta të kandidatëve të AA-së.

11,1% të votave përqendroi kandidati për qarkun e Atikës, 16,1% kandidati për bashkinë e kryeqytetit, 7.5% janë votat e grekëve në të gjithë vendin për ekstremistët e djathtë, që kanë gjysmën e deputetëve të tyre në burg ose nën hetim për veprimtari dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Me interes pritet edhe raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve të dielën e ardhshme së bashku me zgjedhjet për PE-në, ku me sa duket, përveç mesazheve që mund të japë ndaj politikave të ashpra të kursimit, do t’i bjerë kambanës së alarmit edhe për hyrjen e neonazistëve grekë në institucionin më të larta të familjes evropiane. (Memadali Jusufi, TVM2)