Maqedoni
Kriza politike, Zyberi: ndërkombëtarët të vazhdojnë trysnitë; Fazë e re në zgjidhjen e krizës, Ruzhin: nuk përjashtohen as sanksionet
22.03.2017 17:45
Bashkësia Ndërkombëtare është e brengosur për situatën në Maqedoni dhe këtë e vërtetoi me vizitën e tij eurokomisari, Johanes Han...

Bashkësia Ndërkombëtare është e brengosur për situatën në Maqedoni dhe këtë e vërtetoi me vizitën e tij eurokomisari, Johanes Han, dhe tre eurodeputetët, vlerëson analisti politik, Naser Zyberi.
Sipas tij, mosarritja e një marrëveshjeje midis aktorëve politikë të vendit mund ta thellojë edhe më shumë krizën në të cilën vendi ndodhet tashmë një periudhë të gjatë.
“Fakti që nuk u arrit ndonjë marrëveshje flet për atë se Maqedonia do të vazhdojë të jetojë në këtë krizë politike dhe institucionale, e cila e nxitur me protestat e rrugës që për motiv kanë sulmin ndaj subjekteve politike shqiptare, për gjoja ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të RM-së, mund ta thellojë edhe më tutje krizën me pasoja të rënda për sigurinë në shtet, marrëdhëniet ndëretnike dhe institucionet shtetërore. Besoj se faktori ndërkombëtar do të vazhdojë trysninë dhe apelet e tij që ta bind Ivanovin të tërhiqet nga vendimi i marrë, zaten këto tre porosi komisari Han i dha pas takimeve në letrën e tij, se EU dëshiron sa më shpejt konstituimin e organeve, parlamentin dhe formimin e qeverisë, dhe me këtë të fillojnë proceset reformuese dhe integrative për shtetin”,- deklaroi analisti politik, Naser Zyberi.
Për ish-diplomatin, Nano Ruzhin, Maqedonia po futet në një fazë tjetër ku, sipas tij, faktori ndërkombëtar edhe më tej do të ketë rol të rëndësishëm, ndërsa nuk përjashton edhe sanksione të caktuara.
“Duket se u janë kërcënuar me sanksione edhe Gruevskit edhe të gjithë atyre që do ta pengojnë apo do ta stërzgjatin këtë proces. Nuk ka dyshim se po futemi në një fazë të dytë, e cila do të jetë më konkrete, më serioze, me kërcënime direkte ndaj atyre të cilën nuk do të marrin pjesë në proceset demokratike të transferit demokratik të pushtetit në RM”,- u shpreh ish-diplomati, Nano Ruzhin.
Pas takimit me Hanin, sipas Ruzhin,VMRO po tregohet humbëse, ndërsa Zyberi thotë se në raste të tilla kërkohet pjekuri politike, tejkalim i vetvetes dhe interesave të ngushta, dhe respektim i rregullave demokratike, në të kundërtën Maqedonia do të vazhdojë të mbetet në krizë.
NAIM RAMADANI
