Maqedoni

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, dështon edhe takimi i dytë koordinues

22.03.2017 18:26

Dështoi edhe një përpjekje e partive parlamentare për të gjetur kompromis rreth Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve...

Edhe në takimin e mesditës që zgjati rreth dy orë, palët nuk gjetën kompromis, por përsëritën qëndrimet e një dite më parë. VMRO-DPMNE kërkon që posti i kryetarit të këtij trupi t’i takojë kësaj partie, me arsyetimin se është partia që ka fituar më shumë mandate në Kuvend. LSDM thotë se ajo ka siguruar shumicën parlamentare dhe se ajo duhet të kryesojë me këtë Komision.
 
Në takimin e një dite më parë shumica e re parlamentare pranoi kërkesën e VMRO-DPMNE-së që kjo parti të ketë gjashtë anëtarë, LSDM pesë anëtarë, ndërsa BDI dhe Lëvizja BESA nga një anëtar.   
Zgjedhja e këtij komisioni sanksionohet vetëm me një nen në Rregulloren e Kuvendit. Neni 20 i Rregullores thotë: 
“1)Kuvendi, në mbledhjen konstituive, me propozimin e së paku dhjetë deputetëve, zgjedh Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. 2) Në Komision sigurohet përfaqësim përkatës i deputetëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend”.
 
Rregullorja e Kuvendin sanksionon qartë vetëm komisionet dhe trupat që i drejton opozita, duke e lënë si të mirëqenë se me komisionet e tjera drejton shumica parlamentare. Konform Rregullores, opozita drejton Komisionin e Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit dhe të gjitha komisionet anketuese. 
 
Takimi koordinues do të vazhdojë takimin ditën e enjte, në një përpjekje të re për të gjetur pajtim rreth kontestit se kush do të drejtojë me Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Partitë veç më kanë përcaktuar kandidatët për kryetar dhe anëtarë të këtij komisioni, por nuk i bëjnë publike para se të arrihet kompromisi për kreun e këtij trupi.
 
Pas kompromisit të mundshëm për kreun e komisionit, partitë duhet të bien në ujdi edhe për postin e kryeparlamentarit.
 
Palët duhet të pranojnë rezultatet zgjedhore dhe të respektojnë shumicën parlamentare, porositi, një ditë më parë, eurokomisari, Johanes Han. Brukseli kërkon përshpejtimin e proceseve për ngritjen e institucioneve shtetërore.  
 
SHPËTIM NUREDINI