Specialja nis katër raste të reja, krimi financiar në fokus të hetimeve

23.03.2017 15:27

Prokuroria Speciale nis katër hetime kundër po aq personave për krim financiar nga periudha 2008–2015....

Prokuroria Speciale nis katër hetime kundër po aq personave për krim financiar nga periudha 2008–2015. Në hetimin e parë të koduar me emrin “Tabela” dyshohet drejtoi i shkollës fillore në fshatin Zajas, i cili ia ka mundësuar shfrytëzimin e të mirave materiale Ndërmarrjes “Bau Prof–Kërçovë” në vlerë prej 200 mijë euro.

Në rastin e dytë “Treqind” dyshohet ndihmësministri i punëve të brendshme në periudhën 2008-15 për furnizim publik kundërligjor të 300 makinave duke dëmtuar buxhetin për mbi 453 mijë euro.

"I dyshuari, pa realizuar procedurë për furnizime publike, ka mundësuar që “Bau Prof-Kërçovë” të përfitojë pronë për ndërtimin e objektit të ri shkollor në Strogomishtë të epërme, komuna e Kërçovës, për 200 mijë euro. Në rastin “Treqind”, i dyshuari në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike, duke e ditur se nuk bëhet fjalë për ofertën më të mirë, e ka pranuar propozimin e Komisionit për furnizime publike dhe ka nënshkruar marrëveshje me Porshenë, Kolleskin, Bohemin, Automobilin, Kadis, Auto Makedonija dhe Autokuqa për shitblerje, servisim dhe mirëmbajte të veturave”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.                                                                                    

Dy hetimet e fundit, “Total” dhe “Tifani”, kanë të bëjnë me fshehje të tatimeve. I dyshuari në “Total”, drejtues i ndërmarrjeve “Total Marketing”, “MediaMarket” dhe “Total Media Centar” ka fshehur tatim në vlerë prej 63 mijë euro dhe mbi 121 euro tatim në emër të ndërmarrjeve. Ndërkaq, e dyshuara në rastin “Tifani”, drejtuese  e “Smart Centar”, ka fshehur tatim mbi 37 mijë euro në emër të ndërmarrjeve dhe mbi 16 mijë euro tatim personal. Të dyshuarit për nevoja personale kanë blerë veshmbathje, mobilje dhe pajisje të tjera shtëpiake.                                                                                                    “I dyshuari, si drejtues i personave juridikë, ka ulur përllogaritjen e tatimit, s’ka paguar TVSh-në e as të ardhurat personale. Ai ka shfrytëzuar personat juridikë si mburojë për të realizuar furnizime me pajisje personale të cilat i ka regjistruar si furnizime për personat juridikë. Ngjashëm edhe në rastin “Tifani’, e dyshuara nuk i ka paguar tatimet, të ardhurat personale, dhe ka keqpërdorur personat juridikë për interesa personale”,- u shpreh prokurorja speciale, Fatime Fetai.                                                                                          

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, njëherit kërkoi nga kuvendi që t’ia zgjasë mandatin kësaj prokurorie që t’i përfundojë hetimet.                                                              

“Hetimet financiare janë komplekse dhe nevojitet periudhë më të gjatë për marrjen e vendimeve. Afatet tona janë më të shkurtra krahasuar me prokuroritë e tjera. Kërkojmë nga kuvendi të rishikojë dispozitën ligjore që kufizon punën tonë për të kryer hetimet dhe përmbushur mandatin”,- theksoi prokurorja speciale, Katica Janeva.                                                                

Tre media bojkotuan konferencën me arsyetimet se Prokuroria Speciale ka kryer hetime në disa media. Kjo u përgënjeshtrua nga prokurorja, Lençe Ristveska, me arsyetimet se specialja nuk i heton mediat. (Meral Ismaili, TVM2)