Mosul, 400,000 persona kanë mbetur të bllokuar

23.03.2017 16:14

Rreth 600,000 persona vazhdojnë të qëndrojnë në zona në perëndim të Mosulit.....

Rreth 600,000 persona vazhdojnë të qëndrojnë në zona në perëndim të Mosulit, që është nën kontrollin e grupit militant, “Shteti Islamik”, ndërkaq 400,000 të tjerë janë “të bllokuar” në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ka njoftuar OKB.

“Ata kanë nevojë të madhe për ushqim”, ka thënë Bruno Geddo, që përfaqëson Agjencinë për refugjatë të OKB-së për Irak. Njerëzit që janë larguar nga ajo zonë e kanë përshkruar situatën si dëshpëruese.

“Njerëzit kanë djegur orenditë, rrobat e vjetra, gjithçka që kanë gjetur vetëm që të ngrohen gjatë natës, sepse natën temperaturat bien në mënyrë të konsiderueshme. Është shumë e limituar sasi e ushqimit që ata mund të hanë”, ka thënë Geddo, duke shtuar se njerëzit në Mosul po mbijetojnë me pak bukë dhe ujë dhe shumë prej tyre hanë vetëm një ditë.

Komentet e tij vijnë në kohën kur forcat irakiane kanë nisur një ofensivë që prej tetorit për të marrë nën kontroll Mosulin.

Pjesa lindore e Mosulit u rimor në muajin janar, ndërkaq forcat irakiane janë duke zhvilluar beteja të ashpra për të rimarrë edhe pjesën perëndimore të qytetit.

Mosuli ra nën kontrollin e IS-it në vitin 2014.