Kuvendi mblidhet ditën e hënë, arrihet pajtim për Komisionin për Zgjedhje

23.03.2017 16:54

Kuvendi do të mblidhet ditën e hënë për të zgjedhur Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve....

Kuvendi do të mblidhet ditën e hënë për të zgjedhur Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në ditën e tretë të koordinimit, partitë politike u pajtuan që këtë Komision ta drejtojë kandidat nga radhët e VMRO-DPMNE-së.   

“Mbaroi koordinimi në Kuvend dhe dua të njoftoj se u arrit pajtim për përbërjen e Komisionit dhe për kryetarin e Komisionit. Edhe pse pati një kërkesë nga vargu i kërkesave të pakuptimta të VMRO-DPMNE-së, ne pranuam që kryetari të jetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, për të zhbllokuar proceset në RM, që të funksionojnë tendencat demokratike me qëllim që as qytetarët dhe as Kuvendi të mos mbeten peng i ndonjë politikani apo partie politike. Kështu duam ta vëmë në funksion Kuvendin, si institucionin më të lartë përfaqësues i qytetarëve të RM-së”,- deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.

Përderisa LSDM konsideron se e ka pranuar kërkesën e VMRO-së për të zhbllokuar procesin, VMRO pretendon se me këtë qëndrim LSDM ka pranuar se është partia humbëse. Deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, nuk përjashtoi mundësinë për ngërçe të reja nëse, siç tha, LSDM nuk e pranon se është partia humbëse dhe imponon rregulla të reja.             

“LSDM, sot për herë të parë pas zgjedhjeve pranoi faktin se është partia humbëse në zgjedhje dhe se në këtë Kuvend është partia e dytë. Nëse LSDM vazhdon me veprime të këtilla ta pranojë se është partia humbëse në zgjedhje, Kuvendi i RM-së do të funksionojë normal, nëse përpiqet me mashtrime pas zgjedhore, të imponojnë rregulla dhe praktika të reja në Kuvend, atëherë të gjitha mundësitë mbeten të hapura”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE. 

Konform pajtimit që katër partitë politike arritën koordinim, proporcionet në Komision do të jenë: VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë dhe postin e kryetarit të Komisionit, LSDM do të ketë pesë anëtarë, ndërsa BDI dhe Lëvizja Besa nga një anëtar.

Në vazhdimin e seancës konstituive të së hënës nuk përjashtohet mundësia që të zgjidhet edhe kryeparlamentari dhe zëvendësit e tij.

Konform praktikës së deritanishme, seanca konstiutive, si seancë solemne, është përmbyll brenda një dite, ndërkaq seanca konstituive e 30 dhjetorit u ndërpre pas verifikimit të mandateve për shkak se ende nuk ishte formuar shumica parlamentare, rrjedhimisht nuk kishte as pajtim për Komisionin për Zgjedhje dhe as dakordësi për postin e kryetarit të Kuvendit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)