Botë
Mali i Zi, Tuzi fiton statusin e komunës
23.03.2017 19:13
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar kërkesën që Tuzi të jetë komunë, duke u realizuar një kërkesë prej dy dekadash e shqiptarëve të atjeshëm...

Lajmin e ka bërë të ditur Nazif Cungu, kryetar i partisë “Forca” dhe kryetar i Ulqinit.
“Të dashur miq, sot qeveria kaloi Ligjin për organizimin territorial, i cili formon Komunën e shumëpritur të Tuzit. Në këtë mënyrë ne po ia dalim që të përmbushim një ndër kërkesat kryesore të shqiptarëve të Malit të Zi, duke realizuar gjithashtu një premtim të kamotshëm të Forcës së Re Demokratike. Unë ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që na keni dhënë, falë votave tuaja ne kemi mundësuar që të vëmë në jetë aspiratën e popullit tonë për të pasur komunën e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi”,- ka shkruar Cungu.
Kujtojmë se që nga viti i kaluar është paraparë që Tuzi të jetë sikur të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi.
Do ta kontrollojë buxhetin e vet për pagesa të të punësuarve në administratë dhe vetë do t’i përcaktojë prioritetet në rajonin e Malësisë.
