TRAZIRA-SHKUP

Gjorçe Petrovi, dyqane të shkatërruara tërësisht

20.05.2014 16:36

Grupe të qytetarëve të revoltuar, mbrëmë kanë djegur me koktej molotovi disa dyqane dhe lokale…….

Xhama të thyera, kosha të plehrave në mes të  rrugës dhe erë shkrumbi nga objekte të djegura, kështu mund të përshkruhet gjendja në lagjen Gorgje Petrov të Shkupit. Një ditë pas incidentit tragjik, ku u vra 18 vjeçari, dëmet janë evidente.

Grupe të qytetarëve të revoltuar, mbrëmë  kanë djegur me koktej molotovi disa dyqane dhe lokale.

Lokali i Sejfedin Isakut është  djegur tërësisht, ndërsa fqinjët e tij kanë kaluar me xhama të thyera dhe vjedhje mallrash.

“Ata njëherë kanë filluar t’i thyejnë xhamat, kanë marrë benzinë dhe kanë gjuajtur koktej me benzinë dhe nuk kanë lejuar që zjarrfikësit ta shuajnë   zjarrin, por e kanë lënë  të dëmtohet  lokali  deri në fund, derisa se kanë parë se fqiu afër meje është maqedonas dhe për të mos u zgjeruar zjarri te ai,  i kanë lejuar zjarrfikësit ta shuajnë zjarrin. Siç e shihni vetë, dëmi është i madh, diku rreth 50 mijë euro. Prej këtij lokali nuk ka mbetur asgjë, tani duhet filluar prej në zero, sepse nuk ka mbijetuar asgjë”, - deklaroi pronari i lokalit të djegur, Sejfedin Isaki.

“Lokali ynë siç e shihni vetë është i thyer, kemi aparatet e kafes të thyer dhe dëmi material është rreth 2500- 3000 euro.  Ne gjithmonë kemi problem nga ana e  maqedonasve këtu në Gorçe Petrov. Për çdo vit na i thyejnë dyqanet dhe nuk e dimë përse neve të na ndodhin këto punë. Një incident, ose të mbahet një ndeshje  futbollistike në stadium, ata vijnë dhe na sulmojnë dhe  na i demolojnë dyqanet. Sinqerisht nuk e dimë se si të merremi me këtë punë dhe nuk e dimë se si t’i mbrojmë dyqanet tona”, - u shpreh pronari i lokalit të djegur, Fatmir Bajrami.

“Incidentet kanë ndodhur  mbrëmë rreth orës 23 dhe mi kanë thyer xhamat, vitrinat e mishtores brenda dhe kanë vjedhur diçka”, - tha pronari i mishtores së demoluar, Nexhib Emini.

Banorët e kësaj zone për TVM-2 thonë se kohëve të fundit janë duke u rritur incidentet në këtë lagje. Pronarët e dyqaneve, të cilët mbrëmë shpëtuan nga këto demolime, thonë se pas ngjarjeve të tilla ndjehen të pasigurt. Disa prej tyre mendojnë se incidentet  në fjalë janë duke u organizuar nga disa individ.

“Lokali ku punoj unë, fatmirësisht  nuk është  i djegur, mirëpo, sinqerisht po shpresojmë se këtë gjë nuk do ta bëjnë gjatë kësaj mbrëmjeje. Këto gjëra  po ndodhin shpesh herë dhe  gjithmonë kur ka vrasje të tilla,  në shumicën e rasteve, po demolohen dyqanet e shqiptarëve. Mbrëmë rastësisht ndodha këtu dhe sinqerisht mund t’u them se ishte katastrofë,  kam  kaluar  midis koshave me plehra, të cilat digjeshin”, - theksoi një punëtore e një dyqani. 

“Kjo  që ka ndodhur është turp njerëz. Ne gjithmonë kemi bashkëjetuar me shqiptarët. Unë personalisht jam për çdo ditë këtu, rri te këto lokale dhe me plotë  bindje them se kjo që e kanë bërë mbrëmë është një turp i madh  për gjithë ne, nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Nuk e di saktësisht të them se kush e ka bërë këtë, por me siguri ka dikush që i organizon të bëjnë gjëra të tilla”, potencoi një dëshmitar okular. 

I gjithë ky përshkallëzim i situatës në lagjen Gorçe  Petrov, ndodhi si pasojë e një zënke  banale, për një biçikletë të vjedhur mes disa të rinjve, me ç’rast jetën e humbi një maturant 18 vjeçar. (Rexhep Qamili, TVM2)