Botë
Rrezik epidemish pas përmbytjeve në ballkan
20.05.2014 17:26
Gjendja në zonat e përmbytura në Ballkan mbetet e rrezikshme, ndërkohë që numri i viktimave në rajonet e prekura...

Gjendja në zonat e përmbytura në Ballkan mbetet e rrezikshme, ndërkohë që numri i viktimave në rajonet e prekura, si Serbia, Bosnja, Kroacia është rritur në 47 persona. Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e epidemive në zonat e përmbytura.
Me rritjen e temperaturave do të ketë rreziqe të tjera po qe se nuk pastrohen menjëherë zonat, u shprehën autoritetet. Ndërkohë që në Serbi pritet një valë e re përmbytjesh, në rajonet e tjera masat e ujit janë tërhequr.
Në Bosnjë janë prekur më shumë se një e treta e popullsisë nga vërshimet, ndërkohë që një milion vetë nuk përdorin dot ujin e pijshëm, bëri të ditur ministri i Jashtëm i vendit, Zlatko Lagumdzija. Sipas ekspertëve, ky vend e ka injoruar për një kohë të gjatë këtë rrezik.
Ndërkohë në Serbi, ku 600.000 vetë janë prekur nga përmbytjet dhe 250.000 të tjerë janë evakuuar, gjendja mbetet e nderë, për shkak të rritjes së nivelit të lumit Sava. Në natën duke u gdhirë e marta, është pritur një valë e re përmbytjesh.
Në Beograd, vullnetarët dhe forca të ushtrisë u përpoqën në një garë me kohën, të shpërndanin thasë rërë përgjatë Savës, që bashkohet në këtë pikë me Danubin.
Ndërkohë, ka mbërritur edhe ndihma ndërkombëtare, ndër to skuadra nga Rusia, SHBA-ja dhe BE-ja. Ministria amerikane e Mbrojtjes bëri të ditur dërgimin e 26 tonëve ndihma,ndër to thasë rërë, naftë dhe aparate për pastrimin e ujit.
Përmbytjet në Ballkan konsiderohen si përmbytjet e shekullit. Ndryshe, “Kryqi i Kuq” i Maqedonisë, menjëherë pas katastrofës që ka kapluar pjesë të Serbisë dhe Bosnjës, ka bërë kontakte me të dy Shoqatat Nacionale të “Kryqit të Kuq” në ambasadat e të dy shteteve në RM-së dhe në pajtueshmëri me resurset materiale dhe njerëzore, ka ofruar ndihmë në ekipe dhe pajisje për shpëtim.
GYLTENE SINANI
