Zvogëlohet numri i të sëmurëve nga Tuberkulozi, janë regjistruar 267 raste
Nga Tuberkulozi vitin e kaluar kanë qenë të sëmurë 267 qytetarë....

Nga Tuberkulozi vitin e kaluar kanë qenë të sëmurë 267 qytetarë, prej të cilëve 20 kanë vdekur, njofton TVM2.
Por, edhe pse ky trend është në rënie e sipër, kompetentët alarmojnë se në rritje është numri i fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje.
Sipas mjekëve, fëmijët në mjedis nuk e bartin sëmundjen, por nëse në familje kanë ndonjë të sëmurë, atëherë lehtë mund të infektohen. Vitin e kaluar 25 fëmijë kanë qenë të sëmurë nga Tuberkulozi.
“Fëmijët nuk nxjerrin bakterie në mjedisin e tyre dhe transmisioni te ata pothuajse nuk është i mundur. Por, nëse bëhet fjalë për fëmijë më të mëdhenj se mosha 14 vjeçare, këtu janë të mundur rastet me bakterie pozitive në të kollur. Sido që të jetë, këta fëmijë janë infektuar dhe sëmurë, dhe në strukturat shëndetësore duhet në atë rajon të bëjmë kontrolle më të mëdha dhe aktivitete më të shumta për zvogëlimin e të prekurve nga kjo sëmundje”,- deklaroi koordinatorja kombëtare për Tuberkulozin, Biljana Ilievska-Poposka.
Grupi më i rrezikuar janë personat që gjenden nëpër burgje dhe spitalet psikiatrike. Atje Tuberkulozi më shpejtë përhapet. Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka ndarë 25 milionë denarë për luftë kundër kësaj sëmundje. Në terren do të kontrollohen grupet e rrezikuara ndërsa shërimi është pa pagesë.
“Është e rëndësishme nëse dyshojmë në kohë të zbulojmë këtë sëmundje, kjo vlen edhe për pacientët, për personat që mund t’i kenë simptomat e ngjashme me Tuberkulozin, të paraqiten në kohë tek mjeku, dhe për mjekët nëse dyshojnë tek pacientët të vërtetojnë a janë të prekur me këtë sëmundje apo jo, pasi që edhe pse themi se është sëmundje e të kaluarës, ajo ende është prezente”,- theksoi Jovanka Kostovska nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Organizatës Shëndetësore Botërore, vitin e kaluar nga kjo sëmundje janë prekur më shumë se 10 milion persona në botë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
