Rasti “Almiri”, avokatët kundërshtojnë raportin e ekspertit mjeko-ligjor
24.03.2017 16:34
Në vazhdimin e seancës së sotme të rastit të Almir Aliut, në Kumanovë...

Në vazhdimin e seancës së sotme të rastit të Almir Aliut, në Kumanovë, u prezantua raporti i ekspertit mjeko-ligjor nga Klinika Psikiatrike në Shkup, Branislav Stefanovski.
Gjatë prezantimit të deklaratës së tij, Stefanovski tha:
“Ne si ekspert konsiderojmë se nuk ka paramendim, nuk ka motiv psikopatologjik. Personi i akuzuar, Boban Iliq, nuk ka qenë në gjendje të frikës patologjike, nuk ka qenë në çrregullim momental shpirtëror, por gjithsesi ka qenë i frikësuar, ai ka marrë disa goditje, e paraprakisht ka marrë edhe kërcënime, duke shkaktuar një gërshetë të hapave racionalë që ta shmang konfliktin. Nuk jam dëshmitar që të them po ashtu ka ndodhur, gjyqit i takon të konstatojë se çfarë ka ndodhur. Në aktakuzë qëndron termi paramendim, por kur flitet për termin-paramendim duhet të gjenden motive, kurse motivi mundet të jetë në dy gjëra, në çrregullimin e përkohshëm shpirtëror ose në personin asocial, personin psikopat dhe ai të gjitha konfliktet i zgjidh me rrahje. Në këtë rast nuk kemi as njërën e as tjetrën. I akuzuari, Boban Iliq, ndërmerr një sërë aktivitetesh, e thërret vëllanë e tij në ndihmë për ta nxjerrë nga ajo situatë e pakëndshme, hyn në makinë dhe dëshiron të ikë. Këto janë aktivitete racionale”,- tha në seancën e sotme gjyqësore eksperti mjeko-ligjor nga Klinika Psikiatrike në Shkup, Branisllav Stefanofski.
Kjo dëshmi tek avokatët mbrojtës ka shkaktuar reagime për shkak të ekspertizës së pakompletuar dhe selektive mjeko-ligjore, për çka paralajmëruan angazhimin e ekspertëve më të mirë mjeko-ligjorë në Maqedoni.
“Eksperti mjeko-ligjor edhe vetë deklaroi se nuk i ka pasur të gjitha dëshmitë e prezantuara nga ana ime, gjë që tregon se me të vërtetë mundemi të dyshojmë për punimin selektiv të vetë ekspertizës, sepse këto dëshmi të cilat i ka mbrojtja, respektivisht unë si avokat i familjes Aliu, del krejtësisht diçka tjetër. Andaj unë kërkoj nga Gjyqi dhe Prokuroria ekspertizë plotësuese, nëse jo atëherë ne si avokatë mbrojtës, në procedurë plotësuese do t’i angazhojmë ekspertët më të mirë mjeko-ligjor në Maqedoni në drejtim të zbardhje së të vërtetës në këtë rast”,- tha avokati Asmir Alispahiq.
“Me përmbajtjen e deklaratës së ekspertit mjeko-ligjor nuk pajtohemi. Bëmë kundërshtimin tonë. Ekspertiza mjeko-ligjore ishte jo e plotë, e pjesërishme. Ishte e përpunuar jo në bazë të të gjitha dëshmive dhe jemi në pritje që prokurori publik të bëjë kërkesën për një rishqyrtim të ekspertizës, duke i marrë parasysh të gjitha dëshmitë dhe provat materiale që gjinden në lëndë. Si përfaqësues i të dëmtuarve në këtë procedurë, pres që në seancën e radhës eksperti mjeko-ligjor të paraqitet me një ekspertizë të ridefinuar dhe të paraqitur në gjyq”,- u shpreh avokati mbrojtës, Ibrahim Bajrami.
Seanca e radhës është caktuar për më 13 prill, në orën 10.00. (Nexhat Aqifi, TVM2)
