Haraçinasit në protesta kundër EVN-së, kërkojnë përllogaritje të re për faturat e energjisë
Banorët e Haraçinës, të revoltuar nga faturat e larta të energjisë elektrike....

Banorët e Haraçinës, të revoltuar nga faturat e larta të energjisë elektrike, vazhduan sot protestën kundër kompanisë energjetike EVN, njofton TVM2.
Ata një orë bllokuan rrugën kryesore të këtij fshati, duke kërkuar nga EVN të bëjë përllogaritjen e re të faturave të muajve të kaluar në bazë të energjisë reale mujore të shpenzuar dhe të ndalohet ç’kyçja e debitorëve në këtë rajon.
“Nuk jemi duke protestuar të mos e paguajmë atë që e kemi shpenzuar. Atë që kemi shpenzuar e paguajmë, por nuk duhet të bëhemi debitorë për diçka që nuk e kemi bërë ose shpenzuar”,- u shpreh një banor i Haraçinës.
“Pagesa më e vogël e energjisë elektrike e familjes time ka ardhur mbi 10 mijë denarë, d.m.th. për një shtëpi e jo për objekt afarist. Nëse kam shpenzuar energji elektrike në vlerë prej 8 mijë denarësh, atëherë përse unë të paguaj faturë prej 10 mijë denarëve për TVSh-në”,- theksoi një banor i Haraçinës.
“Kjo më nuk përballohet, siç ju thanë edhe më herët, me 7 mijë denarë të ardhura të paguhen fatura prej 10 mijë denarëve, është e pa pranueshme, çfarë jete është kjo për ne”,- tha një banor i Haraçinës.
Nga EVN mbetën në qëndrimin e dhënë para dy ditëve për çështjen në fjalë. Ata thonë se gjithçka që është shpenzuar nga ana e banorëve do të duhet paguar dhe përjashtojnë çdo mundësi të ketë ndodhur gabim me leximin e orëmatësve në këtë rajon.
“Shumica e banorëve të ç’kyçur nga rrjeti energjetik janë debitorë të cilët nuk e kanë bërë pagesën e kësteve për faturat e mbetura për të cilat kanë firmosur kontratë”,- thuhen në komunikatën e EVN-së. (Rexhep Qamili, TVM2)
