MAQEDONI

Ekspertët: Raportim joprofesional për rastin

20.05.2014 17:30

Situata e krijuar në lagjen Gjorçe Petrov, pas informatës për vrasjen e një të riu, institucionet e Shtetit...

Situata e krijuar në lagjen Gjorçe Petrov, pas informatës për vrasjen e një të riu, institucionet e Shtetit, OJQ-të, por edhe mediat nuk kanë mundur që të menaxhojnë punën në mënyrë profesionale.
 
Kështu vlerësojnë ekspertët medial dhe ato për menaxhim me konfliktet.
 
Albert Hani nga Qendra për Menaxhimin e Konflikteve, ka deklaruar se duke marrë parasysh rrethanat momentale dhe situatat e fundit, Shteti ndodhet në një situatë ndëretnike të mjerueshme. 
 
“Besoj se është një rast flagrant, me të cilin thjeshtë shpjegohet edhe dështimi i institucioneve shtetërore, të cilët merren me mbrojtjen ose sigurinë e qytetarëve, mirëpo po ashtu edhe dështim i mediave dhe OJQ-ve, t’i qasen këtij problemi në mënyrë serioze, duke marrë sigurinë sociale për atë që ndodh. Në qoftë se mediat thjeshtë paraqesin ose shpalosin informata lidhur me identitetin e personave për të cilët bëhet fjalë, direkt ato aludojnë në karakterin etnik. Këta aktorë janë më të prirë t’u qasen problemeve nga këndvështrimi etnik, mirëpo nuk e kanë parasysh se këto këndvështrime etnike mund ta destabilizojnë edhe Shtetin”, deklaroi Albert Hani nga Qendra për Menaxhimin e Konflikteve.
 
Petrit Saraçini nga Instituti maqedonas për Media, vlerëson se vite me radhë mediat në Maqedoni, pa marrë parasysh në cilën gjuhë flasin, janë të pozicionuara në një mënyrë etnocentrike. 
 
“E shikojnë interesin e etnisë së vet dhe shpesh herë kur ndodh diçka e keqe me ndonjë pjesëtar të etnisë së tyre, këtë e stërmadhojnë, kurse kur ndodh me ndonjë pjesëtar të etnisë tjetër, dinë ta zvogëlojnë, bile edhe të mos raportojnë për gjëra të këtilla. Këto nuk janë gjëra të mira. Me shumë kujdes duhet të raportohet, në raste të këtilla nuk duhet të potencohet prejardhja etnike e vrasësit apo atij që është vrarë, për shkak se e shohim qartë se vrasja nuk ka të bëjë me ndonjë mosmarrëveshje ndëretnike apo me ndonjë konflikt ndëretnik, por është e lidhur me një krim. Rastet e këtilla, nëse nuk zbardhen në  një mënyrë të vërtetë, do t’i japin flakë të mëtutjeshme apo do t’i hedhin benzinë më tutje marrëdhënieve të brishta ndëretnike”, Petrit Saraçini nga Instituti maqedonas për Media.
 
Petrit Saraçini dhe Albert Hani po ashtu nënvizojnë se në vend nuk ekziston komunikim i mirëfilltë i këtyre konflikteve dhe nuk menaxhohen në mënyrë profesionale nga të gjithë aktorët të cilët janë të kyçur në këto raste.
 
Ata thonë se përgjegjësia e mediave dhe gazetarëve është shumë e madhe dhe ata duhet të raportojnë në mënyrë korrekte për rastet e këtilla. 
 
MEFAIL ISMAILI