Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Informatorëve, Janeva kërkon ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve

24.03.2017 18:00

Prokurorja speciale, Katica Janeva, ka apeluar për miratimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Ditën Ndërkombëtare të Informatorëve...

Sipas Janevës, informatorët dhe dëshmitarët e mbrojtur janë aktorët kyç në luftën kundër korrupsionit, por mungon mbrojtja ndaj tyre për të bashkëpunuar.
 
“Prokuroria Speciale në vazhdimësi tregon nevojën e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e informatorëve, pasi që ne nuk mund që në bazë të Ligjit aktual t’u ofrojmë mbrojtje adekuate të gjithë atyre që dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne. Qytetarët shumë pak vendosin të paraqesin krimin për shkak të frikës që kanë. Andaj ne duhet që t’i nxisim, t’i inkurajojmë që të paraqesin krimin dhe korrupsionin”,- u shpreh prokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënëll” rikujtoi se nga viti 2002 e këndej flitet për rëndësinë e informatorëve, por të cilët ndër vitesh edhe kanë pësuar me largimin e tyre nga vendet e punës.
 
“Që në ligjin e parë të cilin e miratuam në vitin 2002 kishte dispozitë se informatorët nuk duhet pësuar. Informatori i parë që zbuloi krimin në “Telekom” u largua nga puna dhe pësoi trysni të ndryshme. Gjykatësit e lanë rastin pas dore me arsyetimet se nuk ka dëshmi të mjaftueshme”,- theksoi kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva.
 
Nga Koalicioni për mbrojtjen e informatorëve të Europës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, thanë se gjenden në Shkup për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Informatorëve pikërisht për shkak të trysnive me të cilat përballen gazetarët dhe informatorët në zbardhjen e krimit.
 
Ata mbështesin vendit që të stopohet trendi i tillë dhe të kthehet liria e të shprehurit.
 
MERAL ISMAILI