250 emigrantë dyshohet të jenë mbytur në Mesdhe
Të paktën 250 emigrantë dyshohet të jenë mbytur pranë brigjeve libiane...

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Organizatës spanjolle të Ndihmës Pro-Activa Open Arms Laura Lunza pas zbulimit të dy gomoneve të përmbysura dhe pesë trupave, të enjten.
Organizata që llogarit se në dy barkat mund të kenë qenë gjithsej 250 emigrantë afrikanë, nuk e thotë se kur mund të ketë ndodhur tragjedia, por theksoi se kufomat ishin gjetur 21 km në veri të Sabratas.
Mosha e tyre thuhet të jetë mes 16 dhe 25 vjeç dhe të gjithë duket të kenë vdekur si pasojë e mbytjes.
Lajmi për tragjedinë e re vjen pikërisht në ditën kur një gjykatë libiane bllokoi marrëveshjen mes Italisë dhe Libisë për të ndalur fluksin e emigrantëve.
Ujdia ishte arritur në fillim të shkurtit për të ndihmuar autoritetet libiane të pengonin trafikimin e qenieve njerëzore dhe reduktimin e të ardhurve në brigjet italiane. Që nga fillimi i vitit në këtë mënyrë kanë zbarkuar më shumë se 21.000 persona në Itali.
Organizata spanjolle e Ndihmës dyshon se pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike, shumë refugjatë tentojnë të lundrojnë drejt Europës për t’u shpëtuar kushteve jashtëzakonisht të këqija të jetesës në Libi.
