Maqedoni
“Lagja e Trimave”, seanca për Sulejman Osmanin, Prokuroria prezantoi provat materiale
24.03.2017 18:36
Prokuroria Publike në seancën gjyqësore për rastin “Kumanova” ka prezantuar dëshmitë materiale para të akuzuarit, Sulejman Osmani...

Prokuroria Publike në seancën gjyqësore për rastin “Kumanova” ka prezantuar dëshmitë materiale para të akuzuarit, Sulejman Osmani, i njohur në opinion si Komandant Sula.
Edhe Osmani është i ngarkuar me veprën terrorizëm për ngjarjet që ndodhën në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Prokurori, Naum Panovski, ka prezantuar material me foto dokumentacion, video dhe raporte nga MPB.
Në dëshmitë e prezantuara nga ana e Prokurorisë, i akuzuari shihet se si e tregon vendin e armëve që grupi kishte fshehur afër fshatit Malinë.
Këto materiale janë nga dita e 10 marsit 2015 dhe të njëjtët janë prezantuar edhe para grupit, i cili akuzohet për terrorizëm dhe organizim terrorist në ngjarjen kritike të 9-10 majit në Kumanovë.
Avokati, Naser Raufi, thotë se gjykimi i Osmanit bëhet ndaras nga 37 të akuzuarit e tjerë pasi që nisi më vonë dhe Gjykata nuk pranoi për ta bashkuar lëndën, sepse do të duhej të kishte rigjykim nga fillimi.
“Rasti i Sulejman Osmanit nuk u bashkëngjit me lëndën e grupit që gjykohet dhe me seancë ne jemi më mbrapa me lëndën e Sulejman Osmanit. Jemi thuajse te fillimi i procesit, ende jemi te obduksionet, ku u lexuan provat me shkrim. E pamë edhe një videoxhirim për armët ku i ka detektuar i akuzuari, Sulejman Osmani, në malin e Malinës, por shumica e provave ishin me lexim të provave nga ana e Prokurorisë”,- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë.
Ai i ka ikur policisë në momentin kur i ka treguar armët në Gushicë, por pas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia, ai më 22 qershor të vitit të kaluar u ekstradua nga Kosova në Maqedoni.
Seanca e radhës për rastin “Lagja e trimave” duhet të mbahet më 29 mars, ndërsa ajo për Sulejman Osmanin më 30 mars.
SANIJE DURAKU
